Homazhe nga Kosova, Presheva e BE

22/05/2012 00:00

Qirinj të shumtë janë ndezur para Teatrit Kombëtar në qendër të Prishtinës, në shenjë solidarizimi me dhembjen e familjeve në Shqipëri, për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Himarë.

Më pas studentët mbajtën një minutë heshtje për të nderuar viktimat… Studentët thanë se nëpërmjet kësaj duan që të solidarizohen me familjarë të viktimave, të cilët humbën jetën pasdites e së hënës në aksidetin tragjik dhe të shpresojnë në shërimin sa më të shpejt të lënduarve.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë kanë shprehur ngushëllime drejtues të shtetit të Kosovës, si presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, e të tjerë duke shprehur dhembjen për humbjen e jetëve dhe duke shpresuar në shërimin e shpejtë të mbijeturave.

Ndërkohë, gjatë ditës së martë, Lëvizja Vetëvendosje ka pezulluar të gjitha aktivitetet që kishte parashikuar të zhvillonte, për shkak të tragjedisë në Shqipëri.

Edhe qendra e Preshevës është kthyer në vend homazhesh. Porosi ngushëllimi, lule e qirinj janë ndezur në qendrën e qytetit për të nderuar viktimat e tragjedisë së Himarës.

Shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë kanë dalë në numër mjaft të madh për të mbështetur familjet dhe të afërmit e studentëve nga Elbasani. Ky homazh është organizuar nga aktivistët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Luginën e Preshevës dhe me ketë rast edhe liderët lokal u kanë shprehur ngushëllime familjeve dhe shtetit shqiptar.


Bashkimi Europian bashkohet me dhimbjen

Edhe Bashkimi Europian i është bashkuar dhimbjes së miliona  shqiptarëve për tragjedinë e Himarës.

Vetë presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, në një telegram drejtuar presidentit Bamir Topi, shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta.

Mesazhi i Barrosos ishte i mëposhtmi:

”I nderuar Z. President,

Mësova me trishtim për aksidentin rrugor tragjik, i cili ndodhi dje pranë Himarës, ku humbën jetën 13 veta dhe shumë të tjerë u plagosën.
Në emër të Komisionit Europian dhe në emrin tim personal, më lejoni t’iu përcjell ngushëllimet tona të sinqerta, shprehjen e simpatisë sonë më të thellë, si dhe solidaritetin me familjet e të gjithë viktimave.

Ju lutem, pranoni, i dashur Z. President, shprehjen e konsiderates sime më të lartë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB