Shqipëria, shkëmb graniti

20/05/2012 00:00

Fatos Baxhaku  – Togfjalëshi “modeli ynë”, “modeli i qeverisë sonë”, “modeli shqiptar” ka nisur të përdoret gjithnjë e më shumë nga Kryeministri Berisha, qoftë ndër daljet publike, qoftë ndër mbledhje qeverie, brenda apo jashtë vendit.

Nëse nuk gabohemi, termi model nënkupton shembull, pra një vijë, një taktikë, një politikë që duhet ndjekur edhe nga të tjerët nëse duan të jenë kaq mirë sa jemi ne. Berisha nuk e fsheh mburrjen përballë fqinjëve. Ndërsa Italia dhe, shumë herë më shumë Greqia janë duke lënguar nën kthetrat e një krize të paparë ekonomike, Shqipëria po mbahet ende në këmbë. Të paktën ky është opinioni zyrtar i shprehur nga vetë Kryeministri, i cili në të njëjtën ditë që lavdëroi për herë të sprasme modelin e qeverisë së tij, deklaroi se do të ketë edhe rritje pagash e pensionesh. Një ditë më pas, Presidenti francez Hollande deklaroi uljen e pagave për vete dhe për të tijtë. Modeli ynë është i qartë për të gjithë, ndërsa të tjerët rreth e rrotull ulin pagat e shtojnë taksat, ne bëjmë të kundërtën, sikurse kemi bërë jetë e mot xhanëm. Jemi apo nuk jemi popull që i marrim seriozisht gjërat!

Kjo puna e përballimit të krizës europiane dhe të uljes së pasojave të saj te ne sigurisht që është punë ekspertësh, porse çdo njeri me mend në kokë dhe që e ka shkelur këtë vend nuk besoj ta ndajë optimizmin e tepruar me Berishën. Mjafton të shkosh ndër dyqankat e vogla të lagjeve, ku ende shitet me listë veresie për të kuptuar se sa i fortë është modeli ynë i zhvillimit. Mjafton të bësh një xhiro të “Partizani i panjohur”, apo në cilindo shesh tjetër të qyteteve tona, për të parë vargun e gjatë të të papunëve të pashpresë. Mjafton t’u hedhësh një sy rrugëve ku ka ende fëmijë që lypin e që shesin cigare e fara luledielli. Është mjaft të shohësh të diplomuarit e rinj që punojnë kamerierë në rastin më të mirë. Mjafton të flasësh me ndonjë pensionist, cilido e kudo qoftë, për ta kuptuar se sa i fortë është modeli shqiptar ekonomik. Qeveria vërtet mund t’i ngrejë pagat e pensionet me kaq e aq për qind, porse a është e sigurt që buxheti i saj këtë herë do të mbahet fort? Zërat që kanë ardhur nga jashtë kanë kërkuar një rishikim urgjent të buxhetit. Pastaj, a do ta përballojë rritja e pagave dhe pensioneve rritjen e pandalshme të çmimeve? Po borxhit publik si i bëhet? Ka shumë pikëpyetje rreth e rrotull këtij modelit tonë të zhvillimit. Megjithatë, sikurse e thamë që në fillim, kjo është punë ekspertësh të ekonomisë e financave dhe pikërisht prandaj kjo nuk përbën aspak qëllimin e këtij shkrimi. Një gjë mund ta themi me siguri, që teoria e modelit shqiptar të zhvillimit është thjesht një propagandë, në të cilën Kryeministri aktual e ka treguar veten një mjeshtër të vërtetë. Ai e di se nuk duhet të heshtë kurrë. Asnjë politikan i njohur nuk ka arritur të bëhet i paharruar nëse ka heshtur. Heshtja është dobësi, ndrojtje, pavendosmëri, lëkundje para sfidave. Berisha është tashmë një politikan i vjetër. Ai e di fort mirë këtë. Ndaj flet vazhdimisht, kurdoherë dhe për gjithçka. Në një farë kuptimi është bërë mjeshtër i fjalës, edhe kur kjo nuk ka aspak lidhje me të vërtetën. Le që kujt i plasi për të vërtetën një herë! Berisha ka lidhje të çuditshme me publikun, pra me ne, por edhe ne me të. Ai e ka mësuar tashmë se duke qenë gjithherë realist mund të jetë një gjë e mbarë, porse kjo nuk ngjall entuziazëm te ne. Jo, aspak. Nganjëherë edhe neve vetë nuk na duhet aspak e vërteta. Sikurse kemi bërë me shekuj ia kemi deleguar kokulur fatin tonë atyre që kemi mbi krye dhe presim me ëndje që të gënjehemi me elegancë e plot lezet. Kur na thonë që Shqipëria nuk është aspak në krizë dhe se shembullin tonë duhet ta ndjekin edhe të tjerët, ne nuk e vrasim mendjen më gjatë. E harrojmë sakaq xhepin tonë të holluar, shpresën tonë të vagullt, nuk mendojmë më se çfarë do të bëhet me ne e familjet tona nesër. Përkundrazi, na zë gjumi si qengja, me një buzëqeshje të mbarë prej fëmije faqekuq e të lumtur. Ani se nuk kemi ngrënë gjë në darkë. Kjo bën pjesë te modernizmi ynë i shekullit XXI. Përndryshe, nëse hamë paq, ka shumë gjasë që të na vrasë kolesteroli. Në gjumin tonë të thellë për ne nuk kanë më rëndësi faktet, e vërteta, arsyeja. Ne flemë mirë të mbuluar me modelin tonë shqiptar. Në një farë mënyre jemi shndërruar si ajo lopa e Bernardo Atxagës, e cila në “ditarin” e saj shkruante e mërzitur: “…Si gjithmonë të menduarit me logjikë më lodhte. Vërtet që të menduarit me logjikë më dërrmonte fare”.

Folëm për Berishën dhe për propagandën, për ata që e bëjnë dhe për ata që e mbajnë mbi supe. Që të jemi krejt të saktë propaganda nuk është aspak një shpikje e Berishës, ndonëse ky mund ta ketë ngritur atë në nivele të papara mjeshtërore, dhe, aq më shumë, nuk është një fjalë aspak e keqe. Me sa duket, ajo ka lindur bashkë me njeriun e arsyeshëm dhe me pushtetin. Që në Dhjatën e Vjetër të rrethuarit në Jerusalem përhapnin parulla për të frikësuar rrethuesit e tyre asiras. Termi vjen nga latinishtja (propagare – përhap). Në histori kjo fjalë është ngulitur që në shekullin XVI. Asokohe Vatikani vendosi themelimin e një shoqërie, e cila quhej “Congregatio de Propaganda Fide” (Shoqëria e të Përhapurit të Fesë). Qëllimi i saj ishte frenimi i protestantizmit antipapal që kishte nisur të predikohej nga Martin Luteri, edhe ky vetë një propagandist i madh. Shumë kryevepra të historisë nuk janë gjë tjetër veçse një propagandë e mirëfilltë. “De bello civico” e Jul Cezarit synonte forcimin e strategut në skenën politike të Romës. “Eneida” e Virgjilit nuk është gjë tjetër veçse një himn për dinastinë Julia, prej së cilës rridhte Augusti, perandori i parë i Romës. Në formën e mirëfilltë që njohim sot, pra si një aktivitet i ndërgjegjshëm, i planifikuar, saktësisht i orientuar që vë në lëvizje metodat e përpunimit të trurit të publikut, me qëllim që të përfitojë ai që e organizon, është njohur që nga Lufta e Parë Botërore e këndej. Tashmë, në forma të shumëllojshme, propaganda është pjesë e jetës së përditshme të të gjitha shoqërive, qofshin këto të lulëzuara apo të prapambetura. Që në 1923, amerikani Eduard Bernays, i cili konsiderohet si “babai” i shkencës se marrëdhënieve me publikun, shkruante: “…Manipulimi i ndërgjegjshëm dhe i zgjuar i zakoneve tradicionale dhe mendimeve të masave të gjera është një element i rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Ata që e vënë në lëvizje këtë mekanizëm sekret përbëjnë një qeveri të fshehtë që e ka pushtetin e vërtetë të sundojë në vend. Ne qeverisemi, mendjet tona modelohen, mendimet tona sugjerohen, shijet tona ndikohen në masë të madhe nga njerëz për të cilët nuk kemi dëgjuar kurrë më parë. Kjo është një pasojë logjike e mënyrës, sipas së cilës është organizuar shoqëria jonë demokratike”. Me një fjalë propaganda do të jetë, jetë e mot shoqëruesja jonë, e individëve, por edhe e grupeve, masave, turmave dhe lukunive, kur ndodh që ato të krijohen. Puna është se si po bëhet kjo te ne sot e kësaj dite. A duhet të ketë ajo të paktën një, vetëm një fije të vërtete?

Kush e di sepse (disa thonë ngaqë jemi vend i vogël, por kjo ha diskutim) ne, jetë e mot, si në kohë të qeverisjeve tona të para të pavarura, më pas në komunizëm, por edhe sot, kemi ngulmuar të shesim mend me një model tonin, krejt tonin, me atë që nuk e paska pasur asnjë popull, qoftë ky larg, apo afër. Ideja e popullit që i ka mbijetuar me shekuj asgjësimit duke u fshehur ndër male e duke sulmuar që andej pushtuesit, ideja e njerëzve që ani pse ishin të varfër, ishin më të ndershëm e më të besës se të gjithë fqinjët e tyre të marrë së bashku, ideja e popullit më të lashtë në Ballkan po se po, por edhe mundësisht në Europë, ideja e krenarisë pa fund shumë herë e pabazë ishin gjëra me të cilën u rritën breza të tërë shqiptarësh. Ishim më të prapambeturit në krejt Europën e megjithatë kujtonim se u shisnim modele të tjerëve. Do të ishte njësoj sikur një zulu afrikan t’u shiste mend të bardhëve se ai rrjedh direkt nga australopiteku e andaj ata nuk janë asgjë para varfërisë së tij krenare. Kjo mënyrë të menduari e të vepruari u shndërrua në art të vërtetë nga komunistët. Këta nuk e përdorën tekstualisht termin model, porse sajuan “Shqipërinë, fener ndriçues në krejt botën” dhe “Shqipërinë, shkëmb graniti”. Askush nuk na mori për model, por ne ama ishim krejt të bindur se kishim krijuar një model tonin që duhej të na e kishte zili krejt dynjaja. Dhe kështu, falë modës sonë të vjetër kompleksive, jo vetëm harxhuam më kot 50 vjet të jetëve tona, por edhe e futëm vendin në një banjë gjaku, e cila vështirë se do të harrohet ndonjëherë.

Të njëjtën gjë, çuditërisht, po bëjmë edhe sot. Në vend që të ulim kokën duke shtuar punën sa të mundemi e ku të mundemi me frikë në zemër se kriza që na ka rrethuar keq mbase mund të na mbërthejë edhe neve, ne, ose përfaqësuesit tanë në pushtet, por kjo nuk ka edhe aq shumë rëndësi, vazhdojmë të sajojmë modelet tona. Nëse papunësia luftohet duke e lënë fare punën dhe duke shitur mend, nëse prodhimi nuk bie në krizë kur nuk ka ose ka fare pak prodhim, nëse një fukara nuk ka se si ta ndiejë krizën bankare, atëherë sigurisht që po, atëherë e kemi krijuar më në fund modelin tonë tipik shqiptar. Por ama në këtë rast nuk është fare për t’u krenuar, përkundrazi.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA