Fshati Drobonik, vetëm 2 kilometra larg qytetit të Beratit, është një prodhues i qershive që këto ditë kanë mbushur tregjet e gjithë vendit dhe veçanërisht në kryeqytet.

Por rruga për në këtë zonë është shumë e keqe dhe ndikon direkt në humbjen e shumë të ardhurave që këta fermerë do të merrnin këtë sezon nga pemtaria.

Ata prodhimet e tyre i shesin me 50 lekë, por në tregun e kryeqytetit shiten me 300 lekë. Shkak për këtë rritje të madhe çmimi është edhe rruga e shkatërruar. Këtë vit ka një superprodhim në pemtari, por që nuk po shitet.

“Punëtorët duhen paguar në një kohë që unë prodhimin do e hedh në kanal se nuk kam çfarë të bëj tjetër. Edhe sikur me 30 lekë të më kërkohet qershia unë do e shes. Të paktën të laj punëtorët”, shprehet një fermere e zonës.

Këta fermerë që mundësi të vetme jetese kanë prodhimet në pemtari kërkojnë riparimin e rrugës që lidh fshatin e tyre me akset nacionale.

Një rrugë më e mirë do të ndikonte pozitivisht në uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit.

Top Channel