Sarandë, më shumë turistë për verën e 2012

19/05/2012 00:00

Saranda, destinacioni më i rëdësishëm i turizmit bregdetar në Shqipëri
ka çelur sezonin turistik në praninë e qindra qytetarëve dhe turistëve,
që tashmë kanë mbërritur për ta vizituar.

Më shumë se 50 stenda me produkte  vendi, ushqime suvenire dhe informacion turistik kanë mbushur shëtitoren kryesore të Sarandës.Ndezja simbolike e dritave të farit dekorativ të qytetit, hedhja e notarëve në det nga trampolina dhe prerja e tortës nga kreu i bashkisë Steafn Cipa, kanë qenë tre sinjalet e zyrtarizimit të sezonit veror 2012.

Dita e promovimit të turizmit për verën e 2012 ka nisur me përurimin e galerisë së re të artit, ku janë ekspozuar 72 punë në pikturë e skulpturë.Ndër të veçantat e kësaj dite ka qenë edhe përurimi i këndit të ri të lojërave në Parkun “Miqësia”. Dita e çeljes së sezonit ka vijuar me nje spektakel, si dhe me panairin e suvenireve e prodhimeve të traditës së artizanatit. Përgjatë shetitores promovuan prodhimet e tyre dhjetëra biznese vendase.

Megjithë sfidat e shumta që duhet të përballojë ky sezon hotelet këtu flasin për një numër më të lartë prenotimesh krahasimisht me një vit më parë. Njëherazi specialistët e turizmit vërejnë se çmimet disi më të ulëta se sezoni i kaluar kanë lënë vend për të gjithë. Sllogani i kësaj vere në këtë pjesë të bregdestit të Jonit do të jetë: “Saranda: shtëpia e pushimeve tuaja”.  

Sezoni turistik në Shëngjin

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në nisjen e sezonit turistik në Shëngjin. Duke e cilësuar turizmin si një nga hallkat më të rëndësishme të qeverisë, Berisha premtoi rritjen e investimeve të qeverisë për zonat e bregdetit.

Një problem më vete për turizmin në Shqipëri, sipas kryeministrit është pikërisht cështja e mbetjeve, por sipas tij, qeveria dhe komuniteti duhet të bashkëveprojnë që të gjehet një zgjidhje sa më efikase.

“Le të urojmë së bashku një sezon të mbarë, le t’u urojmë të gjithë atyre, qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që kanë zgjedhur brigjet e Shëngjinit dhe gjithë bregdetit shqiptar. Turizmi është shndërruar sot në një degë kryesore të ekonomisë shqiptare, nga një dicka thuajse e parëndësishme shtatë vjet më parë, në kohën kur Shqipëria merrte gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, Shqipëria priti vitin që kaloi, mbi 4 milion turistë dhe vizitorë”, tha Berisha.

Kryetari i Shëngjinit, Salvador Kacaj i dorëzoi kryeministrit Berisha titullin “Mirënjohje e Qytetit” për mbështetjen që ai ka dhënë në zhvillimin e mëtejshëm dhe integrimin e kësaj zone.

Kryeministri përuroi segmentin rrugor Ishull Shëngjin –Superstradë si dhe vendosi tullën e parë në ndërtimin e shëtitores së plazhit.

Top Channel