Mustafa Nano – Do të kryhet reforma zgjedhore në kohë? Kjo është pyetja që po bëhet,
dhe gati është harruar pyetja tjetër, që është më e rëndësishme: Do të
mund të bëjmë një reformë zgjedhore, që të kemi mundësi të shmangim të
gjitha problemet që janë vënë re në zgjedhjet e shkuara e t’u heqim
palëve mundësinë për të vënë dorë mbi to e për të trukuar apo fabrikuar
rezultatin?
Sigurisht, kjo pyetje e dytë lihet e nënkuptuar teksa bëhet pyetja e parë, por kështu si po rrjedhin gjërat të vjen të besosh se po rendim më shumë drejt kapjes së afatit. Edhe diplomatët e huaj e eurokratët e Brukselit po i mëshojnë afatit. Nuk është se lënë pas dore cilësinë e reformës, por këtë të fundit po ua besojnë palëve, të cilat për javë të tëra kanë ecur mirë e pa zhurmë, duke dhënë përshtypjen se negociatat kanë marrë shtruar, gjë që të bën të besosh se palët po merren vesh, për pasojë rregullat e lojës po vendosen së toku. Dhe në rrethanat shqiptare, të biesh dakord mbi rregulla të përbashkëta loje vlen më shumë se të bësh rregulla loje të përkryera.
Por diskutimi mbi cilësinë e reformës zgjedhore nuk është një gjë që mund të injorohet. Sidomos, kur njëra nga palët, në rastin tonë opozita, ka zënë të flasë për ngecje të reformës dhe për vickla të mazhorancës. Deri tani palët kanë rënë dakord për një mori gjërash, mirëpo, e vërteta është se janë marrë vesh për gjëra që kanë rëndësi të dorës së dytë. Nuk janë prekur ende çështjet e mëdha. Cilat janë? Janë ato që kanë krijuar problemet e mëdha, d.m.th., së pari mënyra e numërimit të votave, së dyti organi që mbikëqyr e kontrollon procesin zgjedhor, alias KQZ-ja, dhe së treti e drejta e palëve që të rishqyrtojnë momente të dyshimta gjatë procesit të numërimit.
PD-ja e PS-ja u duk sikur gjetën gjuhën e përbashkët lidhur me numërimin elektronik, dhe deri para ca ditësh na u dha përshtypja se ‘hallet’ e numërimit u hodhën pas krahëve. Mirëpo, krejt papritur doli zëdhënësi i ODIHR-it dhe e quajti të parakohshëm numërimin elektronik, i cili, sipas tij, duhet të praktikohet fillimisht në mënyrë eksperimentale e me projekte pilot, e më pas, me t’u bindur për suksesin, kjo praktikë numërimi mund të shtrihet në mënyrë graduale në gjithë territorin. Disa orë pas kësaj ndërhyrjeje u bë i gjallë Berisha, dhe e bëri menjëherë kauzë të vetën idenë se “numërimi elektronik është i parakohshëm”.
Zëdhënësi i ODIHR-it, Thomas Rymer, duke parë bujën që provokoi në Tiranë (reagimin e ashpër të opozitës dhe miratimin entuziast të Berishës) bëri sikur e saktësoi disi idenë e vet një ditë më pas në një intervistë për “Shqipin”. Por nuk ishte ndonjë saktësim kushedi se çfarë. “Nuk jemi kundër numërimit elektronik, por puna është që duhet të testohet njëherë, e më pas të adoptohet si praktikë”, tha ai në thelb nga Varshava. D.m.th iu mbajt qëndrimit të parë.
Ka ndonjë synim të ODIHR-it për të ndihmuar Berishën në këtë mes? Shumë zëra po ecin kësaj ane në analizat e tyre, por versioni komplotist e konspirativ duket shumë i kërkuar. Nuk është çudi që njerëzit e ODIHR-it të kenë të drejtë në pretendimin e tyre se kjo risi teknologjike mund të fshehë shumë kurthe. Madje, ka ekspertë që thonë se ky tip numërimi ua lehtëson punën atyre që kanë në mendje, e në dorë, të vënë dorë mbi zgjedhjet (si nuk po e flemë mendjen ne shqiptarët mbi një gjë: ka vetëm një çelës të artë që pengon manipulimin e zgjedhjeve, dhe ky çelës i artë e ka emrin ‘vullnet politik për të bërë zgjedhje normale’?)
Nuk dihet pse opozita u tërhoq lehtë-lehtë nga ideja e numërimit elektronik, por bën vaki që t’i jetë mbushur mendja dhe asaj se risia elektronike ka një numër risqesh në këtë moment të parë. Zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme, e për këtë shkak nuk do ish mirë që rezultatin e tyre ta lije në dorë të ‘trilleve’ të panjohura teknologjike. Është mirë pra që ky argument të lihet mënjanë e të vihet theksi te dy argumentet e tjera, ku opozita nuk duhet të lëshojë pe.
Duhet ndërtuar një KQZ e re. Mekanizmi që ka propozuar PS-ja në funksion të zgjedhjes së anëtarëve të këtij institucioni elektoral jep ndonjë garanci më tepër, por nuk i jep të gjitha garancitë. E megjithatë, në zgjedhjet e ardhshme nuk mund të shkohet me Ristanin e Co, të cilët janë të damkosur në përfytyrimin kolektiv si zyrtarë e burokratë të pandershëm e të kontrollueshëm nga politika (kanë dhënë prova të qarta të një shërbimi mercenaresk). Ata edhe sikur të jenë më të pafajshmit e botës, nuk mund të qëndrojnë më aty. Një gjyqtar (dhe KQZ-ja ka në thelb funksionin e gjyqtarit), jo vetëm duhet të jetë i ndershëm, korrekt, i paanshëm, por edhe duhet të ngjajë si i tillë. Për më tepër, një gjyqtar duhet të ketë paraprakisht besimin e njërës prej palëve në lojë, a në gjyq.
Në të njëjtën mënyrë duhet këmbëngulur tek ideja e rishqyrtimit apo e hetimit pa pengesa të kutive të numëruara të votimit. Berisha nuk ra dakord njëherë (në kohët e bojkotit të Parlamentit e të grevës së urisë në bulevard) me pretendimin se ligji nuk e lejonte këtë gjest në emër të transparencës, por tani i duhet kërkuar që në emër të garancive për transparencë ta bëjë e saktësojë këtë ligj.
Zgjedhjet e ardhshme janë të rëndësishme për të gjithë, por ato janë të rëndësishme për Edi Ramën para së gjithash. Ky i fundit nuk do të ketë alibi pas një humbjeje tjetër, e për rrjedhojë nuk do ketë ku të kapet për të shpëtuar karrierën e vet. Në zgjedhjet e ardhshme ai do të futet ose për t’i fituar e për t’u bërë Kryeministër, ose për t’i humbur e për t’u larguar në hallin, a qejfin, e vet. E prandaj, i duhet të këmbëngulë tani për rregullat e lojës elektorale. Një gurgule para zgjedhjeve në emër të këtyre rregullave është më e mirë se çdo tollovi pas zgjedhjeve me sebepin se janë shkelur rregullat.
Top Channel