Gurim Pajova 24-vjeçar, ka mbërritur kur ka qenë 14 vjeç nga Kosova në Britani, i fshehur në një maune, pas humbjes së babait dhe zhdukjes së nënës së tij, dhe për të është kujdesur shteti anglez duke qenë se ai ishte minoren, deri sa mbërriti moshën madhore.

Në mars të vitit 2010, në një mbrëmje në qytetin Linkoln, ku pasi kishte pirë gjithë ditën në një pab, ai i ofroi mikeshës së tij angleze Sarah Miles, 23-vjeçare, të bënin një xhiro me makinën e tij.

Ai i jepte makinës pa patentë angleze dhe pa siguracion. Për shkak të përmbysjes së makinës, duke qenë se ai kishte alkool në gjak tre herë e gjysmë më shumë se limiti i lejuar, shoqja e tij shtatzëne 6-muajshe, kaloi në hemoragji dhe pas 20 ditësh lindi parakohe një vajzë, e cila jetoi vetëm 25 minuta.

Gurim Pajova nuk ishte babai i foshnjës, por ishte shok me vajzën shtatzëne dhe vëllain e saj, njofton gazeta “The Telegraph”. Ai ishte dënuar edhe më herët për dhënien e makinës nën influencën e alkoolit dhe pa pasur patentë dhe siguracion makine.

Pajova pas padisë për t’u paraqitur në gjykatë, tenton të largohet me autobuz drejt Francës, me një pasaportë falso sllovake. Gurim Pajova, i cili fillimisht pretendoi se nuk ishte ai shoferi në kohën e aksidentit dhe më pas nuk dha dëshmi në gjyq, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie në një proçes që sipas juristëve është unikal dhe i papreçedent në sistemin ligjor anglo-sakson.

Në Gjykaten e Kurorës Mbretërore në Linkoln, u tha se vdekja e foshnjës ishte shkaktuar si rezultat i drejtpërdrejtë i lindjes së parakohshme, në javën e 24-t të shtatzënisë. Sipas prokurorit të çështjes, Gordon Aspden, pa këtë aksident foshnja, e quajtur Nicole, nuk do të kishte ndërruar jetë, sikundër ndodhi.

Sipas një argumentimi ligjor, shkruan tabloidi “The Daily Mail”, në rastet kur një nënë shtatëzënë dhe fëmija i palindur  vdesin, shoferi paditet vetëm si shkakatar për vdekjen e nënës, pasi foshnja nuk ka marrë frymë në mënyrë të pavarur.

Por në këtë rast kemi të bëjmë me një dallim të rëndësishëm, duke qenë se foshnja ka jetuar 25 minuta dhe nëna ka mbijetuar. Për këtë arsye juristet e këtij proçesi gjyqësor ndaj kosovarit Gurim Pajova, besojnë se kemi të bëjmë me një rast penal, unik dhe të papreçedent në sistemin e drejtësisë britanike. 

Top Channel