Presidenti i dorëhequr i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se nëse rizgjidhet në krye të shtetit në balotazhin e së dielës do të vazhdojë me politikën e tij “Edhe BE-në, edhe Kosovën”.

Deklaratën e tij Tadiç e ka bërë gjatë debatit televiziv me rivalin radikal, Timosllav Nikoliç, kryetar i Partisë Progresiste Serbe. “Nuk do të heq dorë nga kjo politikë”, ka thënë Tadiç sipas “REL”.

Ndërsa Nikoliç nga ana e tij ka deklaruar se çështja e Kosovës duhet të negociohet dhe ka akuzuar rivalin se ka frikë të përballet me përgjegjësitë.

Në këtë drejtim, kreu i Partisë Progresiste Serbe ka sqaruar se Tadiç nuk do që në Serbi të arrihet konsensusi për politikën që duhet ndjekur ndaj Kosovës.

Tadiç shprehet i bindur se me politikën “Edhe BE-në, edhe Kosovën” do të arrijë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të ruajë sovranitetin e Serbisë ndaj Kosovës.

Në raundin e parë të zgjedhjeve dy kandidatët siguruan një përqindje votash pothuajse të barabartë, Tadiç 25.31%, ndërsa Nikoliç 25.05%.

Presidenti i dorëhequr, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, konsiderohet favorit për raundin e dytë të së dielës së ardhshme.

Kjo, edhe për faktin pasi Tadiç dhe socialisti Ivica Daçiç ranë dakord më herët gjatë muajit për të formuar koalicionin partiak që do të qeverisë Serbinë në katër vitet e ardhshme.

Top Channel