Liderët e partive parlamentare janë takuar për dy orë për të arritur pajtueshmëri në lidhje me disa çështje të reformës zgjedhore në Kosovë, por mes tyre mungonte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Katër pika për të cilat ende partitë politike nuk kanë arritur konsesus kanë të bëjnë me atë se në sa zona zgjedhore duhet të ndahet Kosova, si do të jenë listat e kandidatëve për deputetë (të hapura apo të mbyllura), sa do të jetë pragu zgjedhor, dhe si do të bëhet shpërndarja e ulsëve në parlament.
Por, as pas dy orë takim, ku morën pjesë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, Përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar, ambasadori britanik, Ian Cliff, e të tjerë, nuk u arrit konsesus.
“Mund t’iu them se nuk pat konsesus, psepse ndoshta nuk u insistua aq shumë në këtë, pasi që disa prej subjekteve politike theksuan se në ndërkohë do të ketë edhe konsultime brenda për brenda subjekteve politike. Mirëpo, ajo që është me rëndësi është se u tregua një gatishmëri që të bashkëpunohet në këtë drejtim”, Haki Demolli, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Demolli ka paralajmëruar një takim të tillë edhe më 30 maj, ndërsa ka shtuar se çështja më problematike është ajo e ndarjes së Kosovës në zona zgjedhore, për shkak të dallueshmërive të mëdha ndërmjet partive politike.
“Kemi paraqitur qëndrimet tona. Po flas në emër të LDK-së (Lidhja Demokratike e Kosovës), kemi pas 10 zona, kurse PDK (Partia Demokratike e Kosovës) 6 e më shumë zona. Mirëpo problem është tek përafrimi i qëndrimeve. Në anën tjetër kemi qëndrimin e AAK-së (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës)të cilët janë për 100 zona ose për 1. Pra, e shihni aty ekziston diferenca”, tha Haki Demolli, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Demolli tha se ndërkombëtarët që ishin në takim rekomanduan që Kosova të ketë një sistem sa më të thjeshtë zgjedhor, ndërsa nuk komentoi mungesën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, por sipas tij ftesa i është dërguar me kohë.
Ndërkaq, në Vetëvendosje thonë se arsyeja e mospjesëmarrjes është se sipas tyre me takime te tilla po shtyhet koha për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare që në bazë të marrëveshjes Thaçi, Mustafa e Pacolli, parashihet të mbahen në fund të 2013-tës.
“Problemi është që tashmë në dritën e aranzhimeve të reja për shtyrjen dhe për kontrollimin e kalendarit të zgjedhjeve kur do të mbahen në Kosovë, partitë e mëdhaja, PDK dhe LK, po bëjnë kësisoj pazaresh që të arsyetohen para elektoratit të vet se vazhdimisht jemi duke bërë diçka dhe kështu të shkojnë deri në vitin 2014, deri kur është thënë nga partia në pushtet që do të mbahen zgjedhjet”, deklaroi Glauk Konjufca, Deputet i VV.
Sipas Konjufcës, qëllimi i takimit ka qenë edhe zhvlerësimi i punës së deritanishme të Komisionit, ndërsa ka kritikuar LDK-në duke e vlerësuar sjelljen e saj si nënshtrim.
Top Channel