Prokurorët në gjyqin ndaj gjeneralit serb Ratko Mlladiç, në seancën e së enjtes e kanë vënë theksin tek kaosi që çoi në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Mlladiç akuzohet se ka orkestruar vrasjen e mbi 7 mijë djemve dhe burrave myslimanë në qytetin boshnjak, pasi e kishte mbajtur atë të rrethuar më ushtarët e tij.

Gjenerali 70-vjeçar po përballet gjithësej me 11 akuza, përfshirë atë për genocid në luftën brutale të viteve 1992-1995 në Bosnje e Hercegovinë.

Ai vetë i quan akuzat “monstruoze” dhe në gjykatë është vetëshpallur i pafajshëm. Këshilltari i prokurorëve, Peter McCloskey deklaroi se krimet në Srebrenicë janë të padiskutueshme dhe në këtë mënyrë prokurorët do të fokusohen në përgjegjësitë individuale.

Ai tha gjithashtu se ushtria serbo-boshnjake nuk ishte një “ushtri e dalë jashtë kontrollit” dhe se gjenerali Mlladiç ishte në terren dhe e drejtonte atë.

“Ne kemi mesazhe radioje të interceptuara mes ushtarëve dhe oficerëve që diskutojnë për vrasjet. Ne kemi videon e dy ekzekutimeve. Prandaj më lejoni të jem i qartë, masakra nuk do të jetë fokusi kryesor i këtij proçesi. Kjo çështje do të jetë parësore në një drejtim të vetëm, përgjegjësinë kriminale dhe individuale të Ratko Mlladiç”, tha këshilltari.

Trupi gjykues pa një video me banorët e Bosnjes të tmerruar në një kamp të OKB-së jashtë Srebrenicës më 11 korrik të vitit 1995, teksa ushtarët serbo-boshnjakë afroheshin, si dhe pamje të gjeneralit Mlladiç që futej si triumfues në qytet.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave të prokurorëve, seanca e sotme u azhornua pas konstatimit të disa “gabimeve serioze” të bëra nga vetë pala e akuzës dhe për rrjedhojë shtyhet edhe seanca e 29 majit, kur do të dilnin dëshmitarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA