Zëdhënësi i Komisionerit Evropian për zgjerimin, Peter Stano, ka sqaruar qëndrimin e dy ditëve më parë, duke thënë se Komisioni ka kërkuar qetësi, por jo ndaljen e protestave në Maqedoni.
“Në deklaratë ne themi se ndërkohë që e drejta për tubim dhe për të shprehur qëndrime dhe opinione duhet respektuar, ne, në emër të Bashkimit Evropian, vijojmë t’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit të shprehin mendimet e tyre paqësisht dhe të ruajnë qetësinë, për t’i mundësuar procesit ligjor të vijojë në përputhje me ligjin dhe procedurat ligjore”, tha Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit, Stefan Fule.
Në lidhje me hetimet për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të Shkupit, Stano rikujtoi deklaratën e Komisionit gjatë muajit prill.
“Gjithsecili në vend duhet të bëjë më të mirën për të mos përkeqësuar mardhëniet ndëretnike në këtë vend. Kjo është në interesin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. E kur them gjithsecili, kam parasysh gjithkënd që ka një rol për të luajtur, e kjo përfshin liderët politikë, mediat të cilat duhet të punojnë me profesionalizëm, dhe qytetarët”, deklaroi Peter Stano.
Në Bruksel, në sallën e konferencave për shtyp të Komisionit, njësoj si gjatë konfliktit të vitit 2001, është kthyer në modë ngritja e pyetjeve me cilësimin e shqiptarëve si terroristë dhe islamistë radikalë, kryesisht nga gazetarë nga Bullgaria dhe Maqedonia.
Top Channel