Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka denoncuar paraditen e së enjtes sulmin që sipas tij i është bërë stacionit të policisë në Dobrosin të Bujanocit, nga “grupe terroriste shqiptare”.
Sipas raportimeve të “REL”, Daçiç ka deklaruar se ky është një shembull i pastër i shkeljes së marrëveshjes me bashkësinë ndërkombëtare, që tregon se sa e kërcënuar është paqja dhe siguria.
“Nuk do të rrimë duarkryq duke parë se si dikush sulmon policët në Serbi. Ne do bëjmë punën tonë ashtu sikurse e kemi bërë deri tani”, ka deklaruar Daçiç.
Duke shtuar se pret reagimet e zyrtarëve ndërkombëtarë për këtë ngjarje, kryeministri i ardhshëm i Serbisë ka saktësuar se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka deklaruar për “REL” se policia nuk ka informacione për sulm me armë zjarri ndaj stacionit policor në Dobrosin.
Zëdhënësi ka shtuar se Policia e Kosovës nuk preferon t’i komentojë deklaratat e zyrtarëve serbë për sulme nga “grupe të armatosura shqiptare” nga Kosova.
Top Channel