Midis paradokseve dhe të pazakontave të zhvillimeve të fundit politike në Greqi ishte betimi i deputetëve të Parlamentit grek që do të ngelen të tillë vetëm për një ditë sepse të premten Parlamenti përsëri do të shpërndahet, si dhe hyrja për herë të parë në tempullin e demokracisë e 21 deputetëve të partisë neonaziste, Chrisi Avgji.
“Besoj se është pozitiv fakti që ka hyrë një parti e tillë në parlament, një parti nacionaliste” thotë një qytetar i Athinës.
“Janë momente të historisë me gabime dhe dekadenca të sistemit politik i cili ka lejuar të ndodhin gjëra të tilla”, tha një qytetare greke.
Deputetët e Chrisi Avgji, kanë mbërritur të parët para ndërtesës dhe kanë hyrë një nga një brenda, vetëm pasi nënkryetari i grupit u ka thirrur me zë të lartë emrat.
Ata kanë kërkuar të jenë në një vend të vecantë në skajin më të djathtë të sallës, pasi flitej se ishte parashikuar që të qëndronin ngjitur me komunistët, por kjo me siguri do te ishte e sikletshme për të gjithë.
Më pas kanë bërë betimin sipas mënyrës fetare tradicionale. Por kur do të betoheshin tek Korani tre deputët myslimanë nga Ksanthi, ata nuk janë ngritur në këmbë duke mos respektuar urdhërin e Kryetarit të Parlamnetit.
“Partia Chrisi Avgji është e vogël dhe ndoshta do të reduktohet influenca e saj tek zgjedhësit. Por edhe nëse do të ketë një farë influence nuk do të mundë të ndryshojë politikën parlamentare të vendit tonë”.
Ndërkohë më shumë se kurrë qarkullojnë në mediat greke dhe të huaja fotografitë e deputetëve të panjohur deri tani për shumicën e njerëzve. Midis tyre Jorgos Germenis një pjestar i nje grupi roku, pa asnjë lloj arsimimi, pikërisht ai që me thirrjen e tij ushtarake, “Cohuni në këmbë” -ndaj gazetarëve, u bë i njohur në gjithë botën dhe dha stigmën e parë se cfarë fshihet pas kësaj partie.
Figura karakteristike janë një ish roje në një klub nate nga më besnikët e kreut të partisë, Ilias Kasidiaris, zëdhënësi i Chrisi Avgji, nga më të studiuarit e organizatës, e deri tek Kostandinos Barbarusis, i ashtuquajturi Jorgos Karaiskaqis, heroi i revolucionit grek kundër turqve në 1821, për arsye të flokëve të tij.
Vetëm një prej deputetëve të PASOK-ut nuk ka pranuar të betohet në praninë e tyre dhe ka preferuar të qëndrojë jashtë sallës së Parlamentit.
Top Channel