Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte.
Kjo, pasi sipas tij, dy vendet kanë ende shumë çështje përpara, të cilat kërkojnë zgjidhje pa u vonuar. Gjithashtu, ka nënvizuar Zhbogar, nga dialogu varet edhe afrimi i dy vendeve me familjen evropiane.
“Dialogu duhet të vazhdojë pasi ka ende shumë gjëra për t’u bërë. Ne e kemi thënë se progresi i Kosovës dhe i Serbisë drejt BE-së do të matet edhe nëpërmjet dialogut dhe marrëdhënieve mes tyre. Ndaj është në interes të të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë dialog”, ka thënë Zhbogar, i cituar nga e përditshmja “Koha Ditore”.
Vazhdimi i dialogut për çështjet teknike është kushtëzuar nga Kuvendi i Kosovës me zbardhjen e fatit të personave që rezultojnë të pagjetur prej më shumë se një dekade.
Zhbogar ka preferuar të mos i komentojë zhvillimet e Kuvendit, por ka rikujtuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është kërkuar edhe me Rezolutë të OKB-së.
Top Channel