Ambasadori holandez: U surprizova nga Spahia

17/05/2012 00:00

Ambasadori Holandës në Tiranë Henk Van Den Dool për herë të parë ka
komentuar deklaratën e zëvëndësministrit të Mbrojtjes Ekrem Spahia, i
cili dy ditë më parë tha se kryediplomati holandez duhet të shpallet
person ‘non grata’.

Top Channel e pyeti ambasadorin Henk Van Den Dool, se cili ishte reagimi i tij i parë kur u njoh me këtë deklaratë, që vinte nga një zyrtarë i lartë i qeverisë shqiptare.

“Më pyetët për reagimin tim të parë, pasi ne nuk ndeshemi me të tilla deklarata ditë përditë. Reagimi im i parë, ishte pritja e kësaj deklarate në mënyrë surprizuese. Kjo deklaratë nuk është bërë nga një njeri apo qytetar i zakonshëm apo politikan i thjeshtë, por nga një anëtar i qeverisë. Mua më ka ardhur keq dhe ende më vjen keq që duke folur për vlerat e evropiane të përbashkëta unë paskam ofenduar zotërinë në fjalë. Dua të them se kam ndjerë mbështetjen nga deklarata e djeshme e  kryeministrit Berisha në lidhje me këtë cështje. Gjej rastin ta falenderoj atë publikisht. Njëkohësisht ju duhet ta keni ndjekur edhe një deklaratë të ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi”, tha Van Den Dool.

Kreu misionit të BE në Tiranë Ettore Sequi, nëpërmjet një deklarate thotë se “shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur për kolegun tim, ambasadorin hollandez në Shqipëri, një koleg me përvojë dhe shumë i respektuar për angazhimin e tij personal dhe të jashtëzakonshëm dhe rolin e tij aktiv, si edhe mbështetjen e madhe të vendit të tij në promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri në të gjitha aspektet e tyre si dhe angazhimin e tij të admirueshëm në luftën kundër diskriminimit.  Komentet dhe thirrja e bërë lidhur me kolegun tim të Bashkimit Evropian janë për të ardhur keq dhe të papranueshme”.

Top Channel