Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ushtron presion mbi ministrat e kabinetit qeveritar për realizimin e axhendës që orienton Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ndërkaq, kritikat ndaj Brukselit ai i vazhdoi edhe sot, duke i quajtur të pajustifikueshme vonesat në raport me Kosovën dhe duke thënë se çdo vonesë mund të shkaktojë konflikte të reja në rajon.

“Çdo vonesë e pajustifikueshme e Brukselit paraqet një rrezik për paqen dhe stabilitetin dhe ringjalljen e ideve për konflikte ndëretnike dhe ndryshime të kufijve në rajon”, deklaroi Thaçi.

Si rrallë ndonjëherë, mbledhja e radhës e qeverisë së Kosovës vazhdoi me dyer të mbyllura dhe transmetimi i saj u ndërpre për gazetarët.

Pas mbledhjes kryeministri Thaçi tha se ministrat të cilët nuk i kryejnë detyrimet e tyre do të ndëshkohen. “Jam optimist, por çdo ministër e di që mospërmbushja e kriterit evropian nënkupton një vlerësim negativ”, nënvizoi kryeministri.

Hashim Thaçi vazhdoi me kritikat drejtuar Brukselit zyrtar dhe tha se shqetësimet e tij ua ka shprehur edhe zyrtarëve më të lartë të BE-së, duke filluar nga baronesha Catherine Ashton, komisioneri Shtefan Fyle e deri te ambasadorët e vendeve anëtare në Kosovë.

Por Thaçi nuk komentoi lidhur me pritshmërinë e qeverisë së tij nëse tetori është koha kur duhet të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ai duket se është fokusuar në punën që ministrat e tij duhet të kryejnë në mënyrë që Brukseli të mos ketë rrugë tjetër. “Kosova do t’i kryejë të gjitha detyrimet. Ndërkohë që Brukseli do të bëjë punën e tij, ne do të vazhdojmë punën tonë”, theksoi më tej Thaçi.

Shefi i ezkekutivit kosovar nuk dha përgjigje konkrete as për udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, për të cilin Brukseli ka premtuar se do t’i dorëzohet qeverisë në pranverë.

Kritikat e Thaçit janë mbështetur nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek, e cila ka bërë përgjegjëse vende të caktuara të Bashkimit Evropian, të cilat edhe pse e kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri, po neglizhojnë përsa i përket proçesit integrues të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA