Lideri i së majtës radikale në Greqi, Alexis Tsipras, akuzoi Bashkimin Europian dhe Kancelaren Angela Merkel se janë duke luajtur poker me jetën e të gjithë europianëve, duke këmbëngulur në masat shtrënguese të kursimit.

Partia “Syriza” e Tsipras pritet të dalë fituese nga zgjedhjet e 17 qershorit, te shpallura te merkuren nga presidenti Karolos Papulias.

Tsipras ka premtuar se nëse do të jetë ai që do të udhëheqë qeverinë e re, do të kërkojë nga BE rinegocimin e kushteve të kredisë, kushte që i kanë imponuar grekëve një rënie drastike të nivelit të jetesës.

Megjithatë, BE ka hedhur më parë poshtë këtë mundësi, duke theksuar se “kreditë e BE-së nuk janë një restorant me vetshërbim, ku Athina zyrtare të marrë atë që i përshtatet”.

“Bankat janë duke përfituar në kurrizin e europianëve të panumërt, duke lënë miliona spanjollë, italianë dhe gjithashtu grekë, në varfëri të plotë. Liderët europianë dhe kryesisht Zonja Merkel, duhet të ndalojnë së luajturi poker me fatet e kontinentit”, deklaroi Tsipras.

Aktualisht, Greqia ndodhet në mesin e një krize të thellë politike, pasi në zgjedhjet e 6 majit asnjë parti nuk arriti të fitonte një shumicë të qëndrueshme dhe asnjë nuk ishte në gjendje të krijonte një qeveri.

“Syriza”, nga ana e saj refuzoi të hynte në bisedime me këdo lëvizje politike që synonte të vazhdonte rrugën e shkurtimeve të propozuar nga Brukseli.

Mundësia e formimit të një qeverie që do të kundërshtojë respektimin e planit aktual, duke nxjerrë Greqinë nga Eurozona, ka krijuar një panik të investitorëve.

Sipas të dhënave zyrtare, 1,2 miliardë euro u tërhoqën nga depozitat bankare në vend vetëm gjatë dy ditëve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA