Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar gjatë një vizite në Tetovë se Kosova është e interesuar që Maqedonia të jetë një shtet i qëndrueshëm dhe funksional.

Në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Evropës Juglindore, Kuçi është shprehur kundër tensioneve, të cilat sipas tij vetëm sa do t’i shkaktonin dëme vendit dhe gjithë rajonit.

Sipas raportimeve të “REL”, Kuçi ka sugjeruar dialogun si mënyrën më të mirë për zgjidhjen e problemeve, qofshin ato ndëretnike apo të ndonjë natyre tjetër.

“Për konfliktet nuk duhet të kontribuojë askush. Përkundrazi, duhet të punohet në rrugë institucionale dhe demokratike, në koordinim me forcat politike dhe aktorët ndërkombëtarë që ato të zgjidhen”, ka thënë Kuçi.

Ministri kosovar i Drejtësisë është shprehur gjithashtu se krizat e vogla do të sillnin kriza më të mëdha, fundi i të cilave sipas tij do të ishte me të vërtetë “i tmerrshëm”.

“Kosova është e interesuar që Republika e Maqedonisë të jetë një shtet funksional, demokratik dhe që respekton të drejtat e qytetarëve të vetë, si Marrëveshjen e Ohrit dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare”, ka vijuar më tej Kuçi.

Deklarata e Kuçit i është referuar në veçanti tensioneve ndëretnike të ngritura në Maqedoni pas vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, krim për të cilin u arrestuan 20 shqiptarë të konsideruar si islamikë radikalë.

Megjithatë, pak ditë më vonë shumica e personave të arrestuar u liruan, duke bërë që të shfryheshin akuzat e ministres së Brendshme Gordana Jankullovska për terrorizëm.

Kundër këtyre arrestimeve në Shkup dhe Tetovë u mbajtën janë e kaluar protesta nga komuniteti shqiptar, që kundërshtoi “proçeset e montuara ndaj shqiptarëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA