Fishekzjarre pa mbarim u hodhën në qiellin e Athinës natën e parë të vitit 2002. Ndërsa nata bëhej ditë dhe himni i BE sillte gëzim në zemrat e grekëve, kryeministri i atëhershëm, Kostas Simitis nxirrte nga një bankomat monedhën e përbashkët, euron.
Dhrahmia, që u shfaq për herë të parë në shekullin e shtatë para Krishtit dhe u bë monedha kombëtare e shtetit të ri grek qysh prej 1833, pas 169 vitesh u hoq nga qarkullimi. Por dhjetë vjet pas hyrjes së monedhës së përbashkët në Greqi, fantazma e saj jo vetëm që nuk duket se është zhdukur, por shfaqet gjithnjë e më tepër si kërcënim mbi Greqinë.
Vetëm disa ditë më parë grekët votuan në shumicë për partitë që shprehen kundër marrëveshjes së huasë, fakt që për BE interpretohet si grusht ndaj eurozonës, reformave europiane për të ndaluar rrënimin e ekonomisë vendase.
Në fakt prej vitesh politika europiane pyet veten nëse duhej apo jo që ky vend i vogël, ekonomia e të cilit përbën më pak se 3% të ekonomisë së BE, duhej të bëhej pjesë e eurozonës.
Për shumicën e politikanëve të atëhershëm, as që mendohej se Greqia e vogël do të mund të shkatërronte prestigjin e madh dhe shkëlqimin e unionit. Brukseli mbylli sytë përballë kushteve që duheshin për anëtarësim, borxh më i vogël se 60% i PBB, deficit nën 3% .
Gjithshka thonë u arrit me ndihmën e kolosit financiar “Goldman Sachs” nëpërmjet kamuflimit logjistik të shifrave, shpjegojnë vite më vonë mediat vendase dhe të huaja, metodë që thuhet se u përdor edhe për anëtarësime të tjera në hapësirën e euros.
Periudha që vijon është një përpëlitje e politikanëve grekë të qeverisin nën presionin e Brukselit dhe FMN që japin kredi dhe ofrojnë rrugëzgjidhje nëpërmjet reformave dhe zemërimit të popullit që sheh se varfërohet dhe kthehet disa dekada pas.
Tashmë shumica e liderve europiane pranojnë se ishte gabim anëtarësimi i Athinës duke parë se sot euro rrezikohet më shumë se kurrë nga vetë Greqia dhe rrisin presionet e tyre.
Grekët kanë kuptuar se po të lënë euron, do të jetojnë më keq. Por nga ana tjetër edhe vetë specialistët e ekonomisë botërore, po shohin se ilaci që po i jep BE, Greqisë, paketa e ndihmës dhe reformat e dhimbshme, po e cojnë vendin drejt vdekjes dhe jo drejt shërimit.
Zhvillimet e fundit në Francë, Spanjë, Itali dhe Gjermani tregojnë se qytetarët europianë nuk pajtohen me reformat e dhimbshme financiare, pavarësisht se Brukseli dhe Berlini i imponohen Athinës “Ose zbatoni reformat ose ikni nga eurozona”.
Për shumicën, BE pa Greqinë nuk ka kuptim. Grekët i dhanë botës demokracinë, vetë emrin Europë. Në fakt nuk ka ende një mekanizëm që t’i përjashtojë ata, sepse nuk ishte parashikuar kurrë, sipas Traktatit te Mastrihtit në 1992. Kjo mundësi është shtuar vetëm në Lisbonë në 2007, nëse një shtet anëtar kërkonte të largohej.
A do të lejoje BE që të vijë fundi europian për Greqinë? Ndoshta jo, sipas zërave nga Brukseli. Ndoshta po, nëse grekët vazhdojnë të ngelen të përcarë për sa i përket të ardhmes së tyre dhe të mos konkludojnë se cfarë kërkojnë përfundimisht.
Top Channel