Të papunët e Kryeministrit dhe ata të Shqipërisë

15/05/2012 00:00

KOSTA BARJABA – Përkundër shifrës së opozitës për një milion të papunë,
ekspertët e qeverisë janë rropatur të sajojnë argumente dhe
kundërargumente, vetëm e vetëm të “rrëzojnë” këtë shifër.

U dukej sikur me përgënjeshtrimin e saj do të mbulonin automatikisht edhe një milion të papunët që dergjen rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë, në kërkim të një pune. Më keq se në legjendat e mjerimit të Migjenit. Dje, në krye të korit antinjëmilionësh u vendos Kryeministri Berisha.

Dallimi thelbësor midis Kryeministrit dhe opozitës është se Kryeministri flet për të papunët e qeverisë. Opozita flet për të papunët e Shqipërisë. Kryeministri quan të papunë atë pjesë të shërbyesve të tij elektoralë, të cilët ende nuk i ka shpërblyer me një punë për shërbimet e tyre partiake dhe elektorale. Opozita quan të papunë të gjithë ata shqiptarë, pavarësisht përkatësisë politike, që nuk kanë një punë.

Ndryshimi i parë midis qeverisë dhe opozitës kur është fjala për numrin e të papunëve është në konceptin e të papunit. Për qeverinë, i papunë është një person që kërkon punë në zyrën e punës të qeverisë. Po a ka shqiptar që beson se duke shkuar në zyrën e punës, mund të gjesh vërtet një punë? Sipas anketës së forcave të punës të vitit 2009, të kryer nga INSTAT-i, rezulton se shërbimet publike të punësimit janë shërbimet e fundit, të cilave u drejtohet një i papunë që kërkon të punësohet. E para është “nëpërmjet shokëve/miqve, apo të afërmve”. E dyta është “nëpërmjet aplikimit direkt tek ndonjë punëdhënës”. E treta dhe e fundit është “nëpërmjet kontaktimit me Zyrën Publike të Punësimit”. (Shih “Rezultate nga Anketa e Forcave të Punës, 2009”, faqe 6). Sipas të dhënave zyrtare, zyrat e punësimit ndërmjetësojnë punësimin e rreth 11 mijë të papunëve në vit. Pra, një ushtri e tërë punonjësish të shërbimeve të punësimit, rreth 700 persona, përfshirë instruktorët e jashtëm të formimit profesional, vegjetojnë në tregun e punës për të ndërmjetësuar punësimin e më pak se një të papuni në ditë për çdo zyrë pune. Një punonjësi të shërbimeve të punësimit i bie të kontribuojë në ndërmjetësimin e 15 personave në vit ose pak më shumë se një person në muaj. Më thoni, ju lutem, ia vlen të trokasësh në këto zyra?

Ndryshimi i dytë qëndron në vizionin e qeverisë dhe opozitës për të punësuarit në sektorin bujqësor. Qeveria quan automatikisht të punësuar në bujqësi të gjithë pjesëtarët e familjeve në moshën e punës, familjet e të cilëve kanë marrë tokë sipas Ligjit 7501. Opozita quan të punësuar në bujqësi ata që realisht punojnë tokën që kanë marrë. Nga rreth 917 mijë të punësuar në fund të vitit 2011, rreth 500 mijë prej tyre janë në bujqësi. Por sipas burimeve të qeverisë, vetëm rreth gjysma e tyre paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore, pra janë formalisht të punësuar. Për të demonizuar me çdo kusht shifrën e një milion të papunëve, qeveria është gati të pranojë se informaliteti është jo në nivelin 40 ose 50 për qind, por më tepër. Madje gjithë shqiptarët, sipas kësaj logjike, punojnë në të zezë. Si mund të quhen të punësuar të gjithë pjesëtarët e një familjeje fshatare në moshën e punës, kur 40 për qind e familjeve fshatare kanë më pak se dy dynymë tokë, me të cilat nuk arrijnë të prodhojnë për të siguruar minimumin jetik?

Së treti, qeveria përdor për argumentimin e shifrave të saj vetëm një burim, INSTAT-in, i cili varet kryekëput prej saj. Opozita përdor informacione të kryqëzuara, siç është edhe informacioni i Bankës së Shqipërisë. Në Buletinin e saj të datës 3 shkurt 2012, Banka e Shqipërisë ka botuar të dhënat e bilancit të forcave të punës. Por INSTAT, për të mos u zënë “gafil”, i ka fshirë të dhënat për popullsinë në moshë pune nga tabela e vitit 2011. Për pasojë, sipas INSTAT-it, nuk dihet sa ishte popullsia në moshë pune në Shqipëri në vitin 2011.

Së katërti, qeveria niset nga konsiderata se një pjesë e burrave dhe grave të Shqipërisë që nuk janë në tregun e punës për shkak se kjo është një zgjedhje e tyre. Opozita niset nga konsiderata se shqiptarët janë një popull që kanë dëshirë e nevojë të punojnë dhe nuk rrinë në shtëpi si zgjedhje, por si pamundësi.

Së fundi, shifra një milion të papunë nuk konteston standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës mbi përkufizimin e të punësuarve dhe të papunëve. Jo, kjo shifër thjesht tregon se llogaritë zyrtare mbi punësimin dhe papunësinë është e pamundur të bëhen duke respektuar këto standarde, në një treg informal dhe të amullt si tregu shqiptar i punës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA