Ish i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës Albert Rohan nuk luan nga qëndrimi i tij për sa i përket zgjidhjes së problemit të veriut të Kosovës. Në takim me pjesemarrësit e shkollës politike të Prishtinës ai u shpreh kundër ndarjes së kësaj pjese.
Ndërsa vazhdon ta shohë planin e Ahtisarit si të vetmen zgjidhje pavarësisht se është i vetëdijshëm se pjesëtarët e komunitetit serb nuk e pranojnë. Rohan tha se i ka rekomanduar kryeministrit Hashim Thaci që të zbatojë planin e Ahtisarit plotësisht në pjesë të tjera të kosovës në mënyrë që kjo të shërbeje si shembull për serbët e veriut.
“Jam kundër ndarjes dhe autonomisë regjonale dhe mbështes implementimin e planit të Ahtisarit, mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër. Është bërë një studim shumë i mirë nga ICO-ja dhe bazuar në këtë studim qytetarët e veriut nuk dinë asgjë për planin e as për përfitimet që mund të kenë. Kështu që unë i kam thënë kryeministrit Thaci, mënyra më e mirë që ta fitosh besimin e qytetarëve në veri është implementimi i planit të Ahtisarit 100 përqind në pjesën tjetër dhe t’u tregohet serbëve në veri që të shkojnë dhe të shohin jetën në Gracanicë apo në ndonjë komunë tjetër”, tha Albert Rohan, ish i dërguar i OKB-së për statusin e Kosovës.
Rohan shprehu zhgënijimin e tij me pesë vendet e bashkimit europian të cilat ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Sipas tij pesëshja europiane po tregohet me patriote se vetë Serbia.
“Jam shumë i zhgënjyer nga qëndrimi i pesë vendeve të Bashkimit Europian sepse është gabim. Kjo nuk ka të bëjë me Kosovën por vetëm me problemet e brendshme që ato kanë. Unë e shoh si pengesë për normalizimin e rajonit. Kjo do të sjellë pasoja edhe në qëndrimin e Serbisë karshi Kosovës”, theksoi Rohan.
Në këtë debat ambasadori Rohan foli edhe për kandidaturën Serbisë për në Bashkimin Europian dhe për krizën financiare që ka përfshirë Europën. Sa i përket Serbisë ai tha se marrja e statusit të kandidatit është vetëm një hap, ndërsa u shpreh i bindur se pa i zgjidhur problemet me Kosovën, Serbia nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
Top Channel