Mbetet në fuqi mocioni i Kuvendit që i kërkon Qeverisë së Kosovës të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë deri në zbardhjen e plotë të fatit të rreth 1 mijë e 800 personave të zhdukur prej më shumë se një dekade.
Ndonëse pritej që gjatë së martës Partia Demokratike e Kosovës të paraqiste një kundër mocion që do ta shfuqizonte të mëparshmin, kjo gjë nuk ndodhi, pasi PDK u tërhoq.
I vetmi që foli për këtë çështje në emër të PDK-së ishte deputeti Arsim Bajrami, i cili propozoi që debati për këtë çështje të mos politizohet dhe që fati i të pagjeturve të mos jetë objekt i përplasjeve mes partive politike.
Por tashmë pyetja që bëhet është: A do të ketë vazhdim të bisedimeve me Serbinë? I pyetur për këtë çështje, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi dha këtë përgjigje:
“Qeveria i respekton vendimet e Kuvendit, natyrisht do ta marrim vendimin, do ta shqyrtojmë si është puna e rekomandimit. Por, jam i bindur që edhe Kuvendi edhe gjithë ne mendojmë zgjidhje më të mirë për Kosovën. Momentalisht jemi të fokusuar që të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani, por besoj që edhe mocioni i propozuar në Kuvend dhe të tjerat e kanë validitetin e vet, por jo në kuptimin e kufizimit të asaj që është për të mirën e vendit. Do t’i marrim vendimet nga Kuvendi dhe ashtu sikur janë në Kuvend ne i respektojmë”, u përgjigj zv/ministri Kuçi.
Çështjen e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë e kishte vënë në pikëpyetje ditë më parë edhe kryeministri Hashim Thaçi. Gjatë një mbledhjeje të qeverisë ai kishte hequr nga rendi i ditës “shqyrtimin e propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për Grupin për Bisedime Teknike”.
“Aktualisht nuk ka bisedime. Nëse do të ketë do t’i ndajmë. Nëse nuk do të ketë nuk do t’i ndajmë”, pati deklaruar Thaçi.
Sidoqoftë, kjo është hera e parë që Kuvendi i Kosovës nxjerr një mocion të tillë që kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, te cilat filluan para një viti.
Top Channel