
Në seancën e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ministri i
Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj shprehu shqetësimin për situatën në veri, e
cila sipas tij po tensionohet nga strukturat serbe.
Hoxhaj tha se, në shkelje të rezolutës 1244, Serbia vijon të mbajë atje policinë, strukturat ilegale dhe barrikadat, duke kontribuar kështu në përkeqësimin e situatës.
Për rrjedhojë, u shpreh Hoxhaj, situata aktuale është bërë pengesë për zbatimin e planit të Ahtisarit për veriun, që sipas tij mund të integrojë serbët e veriut në shoqërinë civile dhe institucione.
“Axhenda e Serbisë në këtë pjesë të Kosovës është mbajtja e status kuosë dhe krijimi i kushteve për një konflikt të ngrirë dhe ndarje territoriale”, tha Hoxhaj, ben te ditur RTK.
“Për shkak të kësaj situate është bërë e pamundur për qeverinë kosovare që të integrojë serbët e veriut dhe të zbatojë planin e Ahtisarit në këtë zonë të vendit”, vijoi ai.
Më tej, shefi i diplomacisë kosovare akuzoi Serbinë se, pavarësisht se nënshkroi marrëveshjet me Kosovën në Bruksel, nuk po bën asgjë për t’i zbatuar ato në terren.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç akuzoi institucionet e Kosovës se po kërcënojnë komunitetin serb që jeton në veri, me veprime të cilat ai i cilësoi si të qëllimshme.
Jeremiç deklaroi se, ekstremistë shqiptarë po pengojnë arritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe përmendi disa incidente të shkaktuara sipas tij nga qeveria kosovare, si arrestimi i pjesëtarëve të MUP.
Top Channel