Greqia ndodhet ndoshta në një nga momentet më të vështira të historisë së saj për shumë dekada, teksa zërat që vendi mund të dalë nga Eurozona po shtohen me shpejtësi.
“BBC” shkruan se zhvillimet e fundit politike po e shtyjnë Athinën, drejt asaj që deri dje konsiderohej si e paimagjinueshme, daljen nga euro dhe rikthimin tek dhrahmia.
E zhytur prej katër vitesh në një krizë që duket se nuk ka fund, Greqia ka mundur të mbijetojë në Eurozonë vetëm falë paketave financiare të shpëtimit nga fmn dhe Bashkimi Europian.
Në këmbim, qeveritë greke kanë pranuar kushtet e ashpra për shkurtim masiv shpenzimesh dhe rritje të fortë taksash. Por, pak ditë më parë, pakti mes BE-së dhe Greqisë mori një goditje të fortë, kur qytetarët grekë votuan në masë një grup partish ekstremiste, të cilat janë shprehur qartë se nuk e njohin atë.
Mediat e huaja shkruajnë se kriza e dyfishtë që ka mbërthyer Greqinë duket se po i jep fund edhe durimit të vetë Europës, që tashmë po lëshon sinjalet e para se dalja e Greqisë nga Eurozona nuk është më tabu.
Deklarata më e fortë erdhi një ditë më parë nga Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Gjatë, një interviste për mediat italiane zoti Barroso tha se nëse një anëtar i klubit nuk i respekton rregullat, atëherë është më mirë që ai të largohet.
Pak orë më vonë, Komisioneri Europian për ekonominë dhe çështjet monetare, Oli Rehn parlajmëroi se paktetat financiare që Europa i ka dhënë Athinës janë shenjë e solidaritetit, por siç tha ai solidariteti është një rrugë me dy kalime.
Analistët thonë se kërcënimet që po vijnë nga zyrtarët e BE-së kanë dy qëllime. Së pari të ulin peshën e partive ekstremiste nëse Greqia shkon në zgjedhje të reja.
Dhe së dyti të përgatisin tregjet për një dalje të mundshme të saj nga Eurozona. Sikurse thotë dhe Zoti Rehn, në dy vjet krizë borxhesh, Europa tashmë është më e përgatitur se kurrë për daljen e Greqisë nga Eurozona, pasi kjo kohë i ka mjaftuar asaj të marrë një sërë masash mbrojtëse dhe të kapitalizojë bankat e eskpozuar ndaj rrezikut grek.
Top Channel