Komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews ka paralajmëruar se
ndryshimi eventual i kufijve të Kosovës sjell ndarje të reja në Ballkan.

Duke folur nga qyteti i Pejës, Drews ka nënvizuar se ndryshimi i kufijve do të kërcënonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin, raporton “RTK”.

Ndër të tjera, gjatë vizitës së tij në Pejë, gjenerali ka vlerësuar punën e trupave të KFOR-it, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e qetësisë në Kosovë.


Kundër ndarjes territoriale të Kosovës
dhe ndryshimit të kufijve u shpreh një ditë më parë edhe ish-numri dy i negociatave për statusin e Kosovës, Albert Rohan.

Në një takim me pjesemarrësit e shkollës politike të Prishtinës ai u shpreh kundër ndarjes së veriut dhe rikonfirmoi qëndrimin për zbatimin e planit të Ahtisarit.

Rohan deklaroi se e sheh këtë plan si zgjidhjen e vetme, pavarësisht se u shpreh i vetëdijshëm se komuniteti serb mund të mos e pranojë atë.

Më herët gjatë muajit edhe kryeministri Hashim Thaçi u shpreh kundër shkëmbimit të territoreve apo ndarjes së Kosovës, duke argumentuar se një veprim i tillë do të kishte efekt domino në Ballkan.

Në një intervistë për revistën “Time”, Thaçi deklaroi se kohërat e luftrave në Kosovë e Ballkan kanë përfunduar dhe se rajoni tashmë ka hyrë në një rrugë të re.

Top Channel