21 janari si parathënie

15/05/2012 00:00

ARBËR ZAIMI – Shumë fjalë janë thënë, shumë do të thuhen për baballarët e vrarë e të
sharë prej pushtetit shtypës e kriminal, po ndër to vetëm një është e
vërteta – ata ranë martirë të thirrjes për drejtësi, dëshmorë të
mosdorëzimit, të besimit se asnjëri prej atyre që zdërhallen mbi gjakun e
djersën e popullit nuk mund të pretendojë të drejtojë në emër të të
njëjtit popull.

Edhe pse ajo demonstratë u thirr nga drejtues që me sa duket s’mëtojnë gjë tjetër pos të njëjtin pushtet me të njëjtat mënyra, edhe pse ajo demonstratë u ndez nga publikimi mediatik i një filmi të vjellë nga zorrët e sistemit, me një fjalë edhe pse denoncuesi ishte i së njëjtës stof me të denoncuarin, ata nuk dolën as për pushtetarët partiakë, as për median, as për filmin e aq më pak për denoncuesin. E rrethuan simbolin qendror të shtypjes në emër të drejtësisë bashkë me dhjetëra mijëra kokëpalarë, që edhe po të ndryshonin partitë e dinin fare mirë se nuk do t’i iknin skamjes.

S’kishte ndonjë traktat teorie të së drejtës në mbështetje të hapit të tyre të guximshëm, po s’ka nevojë për sofistikim teorik për të zgjedhur anën e duhur, ku përball mjerimin tënd me lehtësinë e papërballueshme të miliona eurove e të luksit të shpifur të njerëzve me bllok, nga blloku a në bllok.

Sot njeriu me bllok vijon të shpallet me gjysmë zëri king-maker prej atyre që kanë nevojë jetike për “king”, ndërkohë thirrësi i demonstratës së atëhershme tash thërret për bisedime, meqë “e shkuara nuk mund të ndryshohet”. Por thirrësi mosbesues nuk e zhvleftëson besimin e të revoltuarit, thirrësi tradhtar nuk i heq asnjë fije vërtetësie thirrjes që është gjithëkohësisht e vlefshme. Ndryshimi i pozicionit të thirrësit nuk është surprizë. Në fund ai thirrës dihet që i përkiste e i përket atij soji që politikën e sheh thjesht si taktikë e strategji për t’u ngjitur përpjetë. Popullin e sheh si shkallë. Të vërtetën, të drejtën, të domosdoshmen – i sheh si arkaike. Ai soj pa synim, që kërkon një pushtet pa synim, mbi një popull pa synim. Është po ai klan drejtuesish që në demonstratën e 21 janarit nuk eci në rreshtin e parë, është ai soj liderësh që kurrë nuk do të ecin në rreshtin e parë. Ndonjëherë ata i tuten rreshtit të parë, edhe pse më shpesh u vjen për të qeshur prej pamjes e përvojës së ashpër të njeriut të frontit. Pikërisht ky distancim i tyre prej masave dëshmon se edhe ata mendojnë në terma “kokëpalarësh” e në terma fytyrash të grimuara e të plasticizuara rëndë në klinika miliarderësh. Këto të fundit prej të parave vlerësojnë veç votën.

Është po ai klan drejtuesish që në fillim i braktisi, pastaj tentoi t’i instrumentalizojë, pastaj sërish i braktisi familjarët e viktimave të Gërdecit – duke propozuar për në krye të gjyqësorit “taktikisht” avokatin e kryexhelatit të Gërdecit. Por rasti i fëmijëve të të rënëve më 21 janar është ndryshe, baballarët e tyre nuk janë viktima. Ata janë rreziku më i madh për këtë rend të mbrapshtë, janë dëshmia se shqiptari ende di të derdhë gjak e di të falë jetën për drejtësi. Ata janë një shembull për një shoqëri të tërë, që herët a vonë do të ngrihet e do të vendosë në vend edhe nderin e prindërve dëshmorë, që vunë gurin e themelit për një të re që ende s’e njohim, ende s’na është shfaqur, po që e mban ajrin të elektrizuar, pavarësisht sedativëve që riprodhojnë “burrat e shtetit” që sërish mblidhen si kundërshtarë luajalë për të diskutuar propozime të reja, si mëtues të denjë për fronin e tiranit.

Prej vrasjes së Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit lind mallkimi për këtë politikë moçalore, e po aty do të lindë secila shkëndijë që e lidh Shqipërinë me logjikën e ndryshimit, me flakën e re që ia ka nisur të fryjë gjetiu, e herët a vonë do të ndezë dhe te ne.

 

Kokëpalarët

 

Mos harroni, ndërkohë që ata jetojnë jashtë unazës së vogël të Tiranës dhe hahen me njëri-tjetrin në garë për mbijetesë, ndërkohë që janë ndërsyer kundër hallexhinjve të të njëjtit hall prej shefave që ia desublimojnë qenien njeriut të thjeshtë, duke ia lidhur të drejtën për mbijetesë apo të drejtën themelore njerëzore – atë për të punuar – me aderimin si tifoz në kampin që mban pushtetin e përkohshëm, vetë shefat nuk e fshehin as për sy e faqe se janë e njëjta gjë. Ndryshimet e tyre janë sasiore, por kurrë cilësore. Prej podiumeve e prej mediave shefat thonë se populli nuk ekziston, se ata janë armiq të njëri-tjetrit, sepse demokratët ua marrin punën socialistëve, e socialistët ua marrin punën demokratëve. Se gegët ua marrin punën toskëve e toskët gegëve. Se maloku e shtyp fusharakun, se fusharaku e mashtron malokun. Shefat punojnë mbi ndarjen. Popullin e bashkon mjerimi. E bashkon pasiguria për të nesërmen, ndjenja që vendin e punës ia ka borxh dikujt, a thua se nuk mjafton që bretkun, nervat e zemrën po e lë në punë, të cilat në vend që ta ndërtonin Shqipërinë, ndërtojnë veçse çifligje brenda e jashtë kufijve.

Po shndërrohet në emigrant në vendin e vet, sepse atdheun tashmë e zotërojnë pak duar, marioneta të lobeve e të bizneseve, të mafies e të shteteve të tjetërkujt. E si për t’i qetësuar, i ushqejnë njerëzit me flamur e me patetizëm. Po ata flamurin e kanë, e patetizmi nuk u duhet. Nuk ka vetëvendosje të popullit vetëm me dinjitet të jashtëm, kombi pa dinjitet e kohezion të brendshëm, kombi ku ata që flasin shqip shtypin e vjedhin njëjtë si ata që flasin tjetërsoj, është veç një riprodhim i vuajtjes – me ambalazh tjetër.

Më 21 janar kokëpalarët dolën kundër patetizmit të atyre që vazhduan të thonë se demonstrata ishte në emër të pushtetit të dikujt, a dikujt tjetër. Po unë e di, si pjesëmarrës, se demonstrata ka qenë një përgjigje popullore ndaj arrogancës së degjenerimit të shtresave “të larta”, se demonstrata nisi për drejtësi e u mbyll në përplasje të patrembur me të padrejtën. Demonstruesit kërkuan ndryshim.

Ndryshimi cilësor nuk vjen nga eksplorime të reja të aktuales, po nga hedhja e vështrimit përtej së mundshmes. Mos u përpiqni ta njihni sistemin deri në fund, sa më shumë të ndërgjegjësoheni për të, aq më shumë do të thyheni prej paanësisë e thellësisë së poshtërsisë.

Ndryshimi nuk vjen nga ekspertiza dhe morali në administrimin e së padrejtës së njohur, por nga hedhja e hapit drejt së drejtës ende të panjohur e të pamenduar mirë. Ndryshimi nuk vjen nga më të mirët, nga më të shëndetshmit, nga më të suksesshmit. Të jesh i shëndetshëm e i suksesshëm në një shoqëri të sëmurë nënkupton pikërisht të jesh që në thelb i zhyer, aktivisht a pasivisht. Kështu që ndryshimi vjen vetëm nga kokëpalarët, nga qeniet e ashpërsuara pas përjetimit të dhjetëra thyerjeve në vetvetet e tyre. Vjen nga bashkimi i të sëmurëve, i të parehatuarve.

Po bëjnë çmos të krijojnë bindjen se politika është domosdoshmërish “kurvë”, për të shfajësuar veten. Po dalja e popullit përballë armëve e përballë shkelmave të policisë, krah katër dëshmorëve që ranë në atë përballje, tregon se shqiptarët ishin gati të hynin në skenë zhurmshëm, për ta ndryshuar krejt skenën. Nuk është politika “kurvë”, pavarësisht fetishizimit që ca e ca i bëjnë shtetit e pushtetit. Shteti e pushteti është mjet, e politika është skena e vetme ku do të mund të lindë ndryshimi. Qartësisht kjo skenë tash sa kohë banohet përgjithësisht nga njerëz pa moral, nga burra e gra “kurva”, po nuk është faji i skenës. Faji ka emër. Dhe në emër të dhunës brutale të policisë e të pushtetit më 21 janar, në emër të gjakut të derdhur, në emër të dëshmorëve rënë kundër gjakpirjes, nuk duhen harruar emrat e fajtorëve. Duhen përsëritur me zë të ulët emrat e tyre, emrat e bashkëpunëtorëve të tyre, emrat e atyre që u pajtuan në heshtje, emrat e atyre që “konteksti” i detyroi të pajtohen ca ditë a ca muaj më pas. Herët a vonë do të vijë koha që ato emra të kërkohen me zë të lartë, e kjo nuk ka për të tingëlluar patetike. Jo më.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA