Kryeministri kosovar Hashim Thaçi nuk ndali kritikat e tij drejt Bashkimit Europian. Sipas kryeministrit të Kosovës, politika e Brukselit po tregohet e padrejtë ndaj përparimeve të Prishtinës.
Madje, kryeministri Thaçi ka thënë se përderisa Kosova, që nga
shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e
BE-së, kjo e fundit ka vepruar me hapa të ngadaltë.
“Nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka të ardhme të sigurtë europiane. Shteti i Kosovës është unik në rrafshin politik dhe gjithëetnik në vizionin integrues euro-atlantik. Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Por e vërteta është se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen. Vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht. Përderisa, Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Europian, Bashkimi Europian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë”, deklaroi kryeministri Thaçi.
Ai ka shtuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, as procese të përshpejtuara, por vetëm trajtim të barabartë sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Thaçi tha se, BE nuk duhet të tolerojë vrima të zeza në kontinent.
Ndërkohë kryeministri porositi ministrat të përkushtohen rreth plotësimit të kritereve dhe pyetjeve në pyetësorin që dalin nga raporti për nisjen e studimit të fizibilitetit me Kosovën.
Në takimin për studimin e fizibilitetit, kryeministri kosovar nuk ka kursyer as paralajmërime për kabinetin e tij qeveritar. Ai u kumtoi atyre se më 21 maj Ministria e Integrimit do të raportojë për ato institucione të cilat i kanë respektuar apo jo afatet dhe kualitetin e kërkuar të përgjigjeve.
Kreu i qeverisë u është drejtuar të gjithëve duke thënë se kjo do të jetë axhenda kryesore në këtë periudhë të rëndësishme të proceseve integruese europiane dhe këtu edhe do të vlerësohet përgjegjësia ose jopërgjegjësia e çdo dikasteri të zv/kryeministrave, ministrave por edhe sekretarëve dhe drejtorëve, ka paralajmëruar Thaçi.
“Në këtë kontekst, kërkoj nga ju që gjatë muajit maj dhe qershor prioritet kryesor të jetë plotësimi i pyetësorit për Studimin e Fizibilitetit dhe realizimin e suksesshëm të Misionit Faktmbledhës të Komisionit Europian. Ju inkurajoj që të mbani takime të veçanta dhe intensive me sekretarët, drejtorët dhe zyrtarët relevantë me qëllim të përfshirjes edhe personale në plotësimin e pyetësorit. Ndërsa në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të kërkohet nga secili prej jush, të nderuar ministra, të raportoni për ecurinë e plotësimit të pyetësorit”, deklaroi Thaçi.
Kryeministri gjithashtu u përkujdes që t’u bënte me dije ministrave të tij se përgjigjet e pyetësorit do t’i dorëzohen më 8 qershor Komisionit Europian. Pas dorëzimit të përgjigjeve Komisionit, më 18 qershor Misioni Faktmbledhës i Komisionit Europian, do të mbërrijë në Kosovë me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit.
Top Channel