Diplomati austriak Albert Rohan, ish-zëvendësi i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, ka deklaruar se çështja e veriut të Kosovës nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë proçesi të veçantë negociatash, por ajo mund të debatohet në kuadër të bisedimeve aktuale Kosovë-Serbi.

Në një intervistë dhënë VOA, zoti Rohan ka thënë se veriu duhet të integrohet në Kosovë në bazë të planit të zotit Ahtisaari, i cili siguron një shkallë të lartë të vetëqeverisjes së komunave me shumicë serbe.

“Për mua, statusi i veriut nuk mund të diskutohet. Veriu i Kosovës duhet të riintegrohet në strukturat administrative e ligjore të Kosovës dhe plani i Ahtisaarit duhet të zbatohet”, deklaroi Rohan.

Ish-numri dy i negociatave ka nënvizuar se e kundërshton ndarjen, apo autonominë rajonale, për dy arsye.

“E para, thjesht nuk është  e arsyeshme të ketë dy lloje të komunitetit serb, një që do të ketë autonomi rajonale dhe një tjetër që nuk do ta ketë në pjesën tjetër të vendit. E dyta, autonomitë rajonale nuk janë të nevojshme, meqë plani i Ahtisaarit siguron të gjitha të drejtat e domosdoshme për komunitetin serb që të administrojë punën e tij në nivelin komunal”, ka nënvizuar Rohan.

Sipas tij, serbët mund të bashkëpunojnë me komunat tjera dhe mund të krijojnë asociacionin e tyre, dispozitë kjo e mbështetur në Kartën e Këshillit të Evropës për vetëqeverisjen lokale.

“Pra, të gjitha komunat mund të krijojnë asociacionin politik dhe të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, prandaj autonomitë rajonale nuk janë të nevojshme”, ka shtuar Rohan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA