Me “Stalinin” kundër “Hitlerit”

14/05/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Ka situata politike kur për një moment, logjika duhet
të triumfojë mbi moralin. Një të tillë moment kishim gjatë Luftës së II
Botërore kur Ruzvelti dhe Çurçilli u detyruan të bëjnë aleancë me
diktatorin e kuq, Stalin, për të mundur Adolf Hitlerin, një kërcënim
tepër akut që i kanosej njerëzimit.

Nëse perëndimorët do kishin kufizuar aksionin e tyre politiko-ushtarak me konsiderata morale aleanca, e përbotshme kundër nazizmit nuk do të ishte realizuar dhe përfundimi i luftës do të kishte qenë krejt tjetër. Një e tillë situatë, ku në balancë janë logjika dhe morali, shpaloset sot në politikën shqiptare. Opozita duhet të mposhtë autokratin Berisha, që është rreziku kryesor për projektin demokratiko-liberal në Shqipëri. Hapi i parë është që Berisha të mos arrijë të vendosë në postin e Presidentit një prej shërbëtorëve të tij, gjë që do të ishte njësoj sikur Berisha Kryeministër të mbante personalisht edhe postin e Presidentit. Sepse dy postet më të larta të shtetit në duart e veta, dhe me legjislativin të nënshtruar ndaj vullnetit të tij me anë të shumicës tiranike, Berisha do t’i jepte fund ndarjes reale të pushteteve. Rruga për sundimin e tij absolut do të ishte e hapur. Me nevojën e shmangies së këtij kryerreziku tërasgjësues për projektin europian në Shqipëri duhet logjikuar edhe afrimi i Edi Ramës me Ilir Metën.

***

Duket se Edi Rama e ka kuptuar se Berisha vështirë të mposhtet pa bashkuar të gjithë të majtën dhe se refuzimi në 2009 për të bashkëpunuar me LSI-në ka qenë një luks i tepruar që si çdo luks i tillë, ka pasur një kosto shumë të lartë. Ndërkaq, afrimi i tij i vonuar me Metën, rrezikon një kosto të lartë morale për shkak të tradhtimit që Meta i bëri elektoratit të majtë ndërsa çoi te Berisha ato vota që kishte premtuar se do ishin të sigurta kundër Berishës. Këtij mëkati i duhet shtuar edhe njollosjes së këtij të fundit në bashkëqeverisjen e korruptuar me autokratin dhe sidomos, përfshirja personale në një aferë të ndyrë korrupsioni që, për shkak se u pa me zë dhe me figurë nga publiku, nuk mund të lahet moralisht me anë të një vendimi të dyshimtë nga një gjykatë po aq e dyshimtë shqiptare. Nuk duhet harruar se pikërisht videoskandali Meta-Prifti u bë shkak për protestën e 21 janarit ku automatikët dhe pistoletat e qeverisë, vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Por përballë këtyre konsideracioneve morale, qëndron realiteti politik kokëfortë. Në këtë realitet politik, Ilir Meta është një aktor me peshë që nuk mund të neglizhohet. Veçanërisht kur është fjala për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, një piketë që do përcaktojë drejtimin edhe për shumë zhvillime të mëvonshme. Dhe që politikanë të korruptuar si Meta mbeten faktorë të politikës, është rrjedhojë e kalbëzimit të krejt sistemit politik në Shqipëri si rrallëherë në krejt historinë e saj. Kanë rol në këtë kalbëzim jo vetëm gjykatat që japin vendime në favor të të korruptuarve, por edhe pjesë të konsiderueshme të zgjedhësve shqiptarë që për shkak interesash më të ngushta apo edhe mbijetese ekonomike, vazhdojnë të votojnë politikanët pavarësisht korrupsionit apo tradhtive të tyre. Sa më shpejt ta kuptojë e majta se aleanca e ndyrë Rama-Meta është një domosdoshmëri për të shpëtuar nga një sundim edhe më i fëlliqur që kërcënon, aq më shumë ka shanse që kjo logjikë të hapë shtigjet për një restaurim të mëpasshëm edhe të moralit. Ndërkaq, edhe vetë Meta duhet të kuptojë se bashkëpunimi me të majtën për një President jo të Kryeministrit, është jo vetëm në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve dhe për një republikë europiane me ndarje pushtetesh, por është në përputhje edhe me kritikat e tij të dikurshme kundër “republikës kryeministrore” që sot po tenton ta realizojë Berisha.

 

***

Shihet qartë se afrimi i Ramës te Meta bëhet nga nevoja, nga një pragmatizëm politik. Ndërkaq, vetë Meta është faktori më jo transparent, më i mjegullt, më i mistershëm i këtij afrimi. Përflitet se shtytja për bisedime me Ramën është një krisje që ka ndodhur mes Metës dhe Berishës. Rrjedhja e ndonjë vote nga e majta në favor të Berishës (Islami) si dhe afrimi i ndonjë partie (Idrizi) janë premisa, ndonëse të pamjaftueshme, që shtyjnë drejt një situate ku Berisha do të mund të bënte pa Metën. Dhe Berisha do të dëshironte të ishte i lirë nga Meta për të larguar Metën, ndoshta për shkak të pakënaqësive që ka shkaktuar në PD ndarja e pushtetit dhe e të mirave që burojnë prej tij me LSI-në, si dhe diskreditimi i madh ndërkombëtar që pasoi videoskandalin. Nuk duhet harruar se “Freedom House” e numëronte gjyqin e dyshimtë që i dha pafajësi Metës, si një ndër faktorët që ka çuar në degradimin e treguesit të lirisë në Shqipëri për vitin 2012. Të gjitha këto janë hipoteza dhe gjithçka do varet fakti sesa Ilir Meta vetë do jetë i interesuar (idealet nuk hyjnë fare këtu) për të mos lejuar që një berishist (me ose pa anëtarësi në PD) të ngjitet në postin e Presidentit. Nëse këto interesa nuk janë fort themelore për Metën, atëherë kostos morale të iniciativës së Ramës për afrimin me “Stalinin” kundër “Hitlerit”, do t’i shtohej edhe një goxha kosto politike. Por nëse Meta do shfaqet vendosmërisht i interesuar për një President jo të Berishës, atëherë vetëm pazare korruptive për blerje deputetësh do mund t’i jepnin Berishës 71 votat për të vendosur pa konsensus një president kukull. Një zhvillim që, ne një tjetër rrafsh, për shkak se LSI vazhdon të jetë paterica e qeverisë “Berisha”, vështirë të mos sillte rrëzimin e kësaj qeverie topalle dhe kalimin e vendit, në një formë apo në një tjetër, në zgjedhje të parakohshme. Dhe nëse gjërat zhvillohen kështu, LSI dhe Meta mund të pretendonin paketën e aksioneve në meritën e rrëzimit të së keqes më të madhe për vendin duke korrektuar kështu disi, tradhtimin që i bënë elektoratit të majtë në vitin 2009 duke e risjellë Berishën në pushtet. Moslejimi që Berisha të kapë edhe presidencën do ishte hapi i parë për të penguar vendosjen e një sundimi absolut në Shqipëri. Hapi i dytë do të ishte largimi i Berishës me votë. Dhe sikurse pas rrëzimit të Hitlerit erdhën ditë më të mira për demokracinë perëndimore, edhe për demokracinë në Shqipëri do të vijnë ditë më të mira vetëm pas rrëzimit të Berishës. Edhe pse në themelet e kësaj arritjeje do të qëndronte mëkati apo imoraliteti i një aleance me “Stalinin”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA