Ish-kryengritësit libianë, që rrëzuan nga pushteti diktatorin Muammar Gaddafi, kanë marrë si shembull Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që u shndërrua nga një njësi ushtarake në civile.
Kështu, një grup prej 29 ish-kryengritësish kanë qëndruar në javën e fundit në Kosovë, ku janë stërvitur në Akademinë për Sigurinë Publike në Vushtri, bën të ditur e përditshmja lokale “Express”.
Sipas gazetës, ish-kryengritësit janë përpjekur të mësojnë edhe detajet më të vogla nga shteti i ri i Evropës dhe në përfundim të trajnimit kanë deklaruar se kanë mbetur të befasuar prej tij.
Ata kishin ardhur në Kosovë në mënyrë të organizuar dhe kishin thënë se qëllimi i kësaj vizite ishte trajnimi i tyre nga kolegët kosovarë, për të kaluar nga jeta ushtarake në atë civile.
Të cituar nga “Express”, ish-luftëtarët e Pranverës Arabe kanë thënë se kanë mbetur të impresionuar nga transformimi i UÇK-së dhe se po ktheheshin në vendin e tyre me një përvojë të jashtëzakonshme.
Para largimit nga Kosova ditën e diel, ata kanë thënë gjithashtu se kanë marrë këshilla nga “njerëz të mëdhenj”.
Top Channel