Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj do të
marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të
Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku do të shqyrtohet raporti
tremujor për situatën në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban
Ki-moon.

Ministri Hoxhaj do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit me një fjalim, ku do të paraqes progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë fazë.

Hoxhaj do të njoftojë anëtarët e KS të OKB-së, për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë së Kosovës, progresin e brendshëm institucional, shoqëror e ekonomik, si dhe për forcimin e mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës do të flasë edhe për gjendjen në veri të Republikës së Kosovës, për zhvillimet e fundit dhe për vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, të vendosë sundimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të territorit. Hoxhaj do të raportojë edhe për dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe moszbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nga pala serbe.

Ministri Hoxhaj, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të paraqesë edhe angazhimin e fuqishëm institucional dhe shoqëror të Kosovës në avancimin sa më të shpejtë në rrugën integruese evropiane.

Top Channel