Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të hënën për zhvillimet e fundit tremujore në Kosovë, ndërsa material bazë do të jetë raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun.
Sipas mediave në Prishtinë, në fillim të raportit të tij për periudhën 16 janar-15 prill të këtij viti, Ban Ki-Mun vlerëson se “pas konkluzioneve të suksesshme të diskutimeve për çështjet kryesore në dialog, Beogradi dhe Prishtina, i kanë avancuar planet e tyre europiane”.
Në këtë aspekt përmendet se Bashkimi Evropian i ka dhënë Serbisë statusin e kandidatit dhe se më 27 mars, komisionari për zgjerim formalisht e ka lançuar studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim–Asocim ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Por, këto zhvillime kanë rënë nën hijen e “tensioneve në rritje në terren gjatë pjesës së fundit të periudhës raportuese”, theksohet në raportin e Ban Ki-munit, duke shpjeguar se kjo i atribuohej pjesërisht “përgatitjeve për zgjedhjet serbe më 6 maj dhe kundërthëniet shoqëruese për votimin në Kosovë”.
Në raportin e gjatë të Ban Ki-munit, theksohen dallimet ekzistuese “të pikëpamjeve ndërmjet palëve dhe ndërmjet komunitetit serb në të dy anët e lumit Ibër”.
Top Channel