Mustafa Nano – Mërziteni po t’ju them një gjë që e kam thënë shpesh?
Po jua them prapëseprapë: “Ambasadorët janë më shumë se kurrë të pushtetshëm këtyre anëve tona”. Kanë qenë të pushtetshëm prore, pasi shteti ynë, të cilit ne do t’i festojmë plot pompë 100 vjetorin në nëntor, është qysh në origjinë një shtet ambasadorësh, dmth një shtet i krijuar nga ambasadorët, ose më saktë nga diplomacia ndërkombëtare. Ky fakt, tok me faktin tjetër që ka të bëjë me një si kompleks inferioriteti ndaj të huajve që neve shqiptarëve, ca prej izolimit, e ca prej prapambetjes e pafuqisë, na ka shoqëruar aq shumë në kohëra sa sot e kemi në ADN-në tonë, janë sfondi historik ku është zhvilluar e ushqyer fuqia e ndikimi i ambasadorëve në vendin e shqipeve. Regjimi komunist ishte në një farë mënyre një parantezë anti-ambasadoriale në historinë tonë shtetërore, por kjo vinte prej një trilli autarkik të diktatorit, e jo prej ndonjë motivimi në emër të sovranitetit e të dinjitetit nacional. Madje, që të jem i saktë, praktikat e drejtimit e të qeverisjes në dekada të tëra (periudha 1944-1980) veç me sovranitetin politik e shtetëror nuk kishin të bënin. Ishin bash e kundërta.
Megjithatë, në vitin 1992 e pak më pas, si një zhvillim inercial i “sovranitetit të izolimit”, politikanët shqiptarë që udhëhoqën Shqipërinë postkomuniste silleshin gjithë dinjitet, e ndonjëherë dhe me arrogancë (që sot do të merrej për harbutëri) me ambasadorët. Këta të fundit, sidomos ata amerikanë, ndonëse respektoheshin shumë për shkaqe të njohura, ishin gjithë skrupuj e i rezistonin ngasjes për ta ushtruar ndikimin e fuqinë që vinte prej shenjtërimit të tyre. Ryerson-i, edhe pse kish funksionin e një ambasadori “kryqtar’, nuk mori në asnjë rast kompetenca të dinjitarëve lokalë. Ai ish më shumë këshilltar atëmot. Ndërsa ambasadorët amerikanë që e kanë pasuar atë janë shndërruar në një institucion që, për nga fuqia, e kapërcen fuqinë e institucioneve tona kushtetuese.
Duke lënë mënjanë çfarë na vjen e na imponohet prej historisë e traditës në këtë drejtim, duhet thënë se ka zhvillime lokale të këtyre viteve që e kanë nënvizuar shumë më tepër pushtetin e ambasadorëve. Sipas meje, gjithçka nisi me zgjedhjet e 26 majit 1996, dhe duhet thënë se zgjedhjet e kontestuara apo të manipuluara janë burimi kryesor i autoritetit të ambasadorëve në Shqipëri. Është aq e vërtetë kjo sa mund të thuhet pa frikë që me t’ia arritur ditës që të organizojmë zgjedhje normale me rezultat të pranuar nga humbësit, roli i ambasadorëve do të bjerë në një masë të madhe si me magji.
E vërteta është se zgjedhjet e kontestuara apo të manipuluara janë thjesht një përthyerje spektakolare e një dukurie edhe më të rëndësishme, që është “pafuqia jonë për të ndërtuar institucione të besueshme e prirja jonë për t’i rrethuar institucionet me dyshim, apo më keq akoma, për t’i parë si ente armiqësore”. Dhe është kjo sjellje e jona jo e anti institucionale që na bën gjithë herën të kemi nevojën për ca autoritete që t’na ndajnë shapin nga sheqeri. Do duhej të ishin institucionet me këtë funksion, por ne ato ose i ndërtojmë me qëllime të mbrapshta (KQZ-ja, TVSH-ja, INSTAT-i, etj), ose i nëpërkëmbim kur nuk na vinë sipas volles, ose hedhim dyshime mbi to kur marrin vendime të diskutueshme. E prandaj futen në lojë institucionet ‘aliene’, të cilat, edhe pse nuk kanë as një lloj legjitimiteti (fuqia e tyre nuk buron prej kushtetutës, apo prej ndonjë ligji tjetër), shihen prej nesh si autoritete më të besueshme.
Ata që bezdisen prej ambasadoro-kracisë (ndoshta, politikanët më së pari) do duhet të përpiqen të kultivojnë mes nesh kulturën e respektit ndaj institucioneve. Nuk do të bjerë kurrë pushteti i ambasadorëve, nëse zgjedhjet do të manipulohen apo kontestohen; të gjithë do donim në këto rrethana që ky pushtet të ekzistonte; madje, unë personalisht do ta doja më të fortë se sa është. Nuk do të bjerë asnjë çikë pushteti i ambasadorëve, nëse do të vijojë kjo luftë civile mes institucioneve e kjo kulturë e dyshimit mbi to, nëse do të vijojmë të shohim tek çdo vendim që ato marrin një synim të lig, një pazar të ndyrë, një shërbim që i bëhet kundërshtarit, nëse do të vijojmë të bëjmë ndaj krerëve të institucioneve sulme të paprincipta (shprehja “putana e bulevardit” shënjon kulmin e banditizmit anti-institucional; kjo fyerje e rëndë publike u bë ndaj kreut të një institucioni që është zgjedhur me logjikë non-partisane apo bi-partisane në momentin që ajo mori një vendim që s’i pëlqeu gojëprishurit që njohim të gjithë; ndërsa refuzimi për të zbatuar një vendim të institucionit të saj ishte sjellje e rëndë prej mujshari).
Ju kujtohet se ç’ndodhi pas këtyre ngjarjeve, që unë i përmenda brenda kllapave si ilustrime të dukurisë? Ambasadori amerikan shkoi në Prokurori, dhe organizoi një konferencë për shtypin tok me kryeprokuroren, duke dalë në krahun e majtë të saj. Të gjithë kanë gjetur siguri e ngushëllim tek ky gjest i ambasadorit amerikan, i cili ish i vetmi “institucion” që reagoi “ashtu si duhet” në ato momente. Normalisht e gjetkë, situata të tilla zgjidhen brenda kuadrit e lojës instuitucionale të vendit. Duhet të ketë gjithnjë një institucion që vepron sa herë që shpërfillet a nëpërkëmbet një institucion tjetër, dhe e vërteta është se në Shqipëri ky kuadër ndërinstitcuional ekziston formalisht. Por çështhja është se nuk vihet në punë. Pse? Për ato arsye që thashë më sipër. Ose ngaqë institucionet ndërtohen gabim qysh në krye të herës, dmth ndërtohen për të marrë vendime të gabuara apo për t’mos marrë asnjë vendim, ose ngaqë ato rrethohen prore me dyshim. E përsa kohë do të jetë kështu, ambasadorët mua më ngjajnë me një ent shpëtimtar. Ma shpif pushteti i tyre, por sikur të mos ishin ata, i vetmi institucion që do të sundonte në Shqipëri do të ishte vullneti i ndonjë satrapi; ose tollovia totale.
Post Scriptum: Para tri ditësh, të përditshmet dhanë lajmin e takimit të shkrimtarit Ismail Kadare me ambasadorin amerikan Arvizu. Kadare s’do bënte keq ta evitonte ‘vizibilitetin’ në këtë rast (së pari, e për çfarë i duhet? Së dyti, ky ‘vizibilitet’ ushqen dashje pa dashje dukurinë e ambasadoro-kracisë, nga e cila dhe vetë Kadare duhet të ndjejë bezdi), por ai nuk e bëri; përkundrazi, tha dhe nja dy fjalë, kur e pyetën. “Ambasadorin amerikan e kam mik timin”, tha. Sipas shumë gjasave, është magjia e pushtetit të ambasadorëve që arrin deri tek “i magjishmi dhe i pushtetshmi” Kadare. S’ke ç’i bën! Ambasadoro-kracia është një regjim i çuditshëm. Si çdo regjim, xhanëm.
Top Channel