Verën e shkuar Ministria e Ambientit dha urdhër për ndalimin e punimeve për ndërtimin e një impianti uji të pijshëm mbi shpellën e mermertë të Gadimes. Megjithatë ky rezevuar uji tani është në përfundim e sipër.
Vitin e shkuar komuna e Lipjanit kishte dhënë leje për ndërtimin e impiantit mirëpo një vendim i tillë kishte hasur në kundërshtime të Ministrisë së Ambientit. Kjo e fundit kishte ardhur në përfundim se ndërtimi i një impianti të ujit mund të dëmtojë rëndë shpellën.
“Kemi urdhëruar angazhimin e ekspertëve të pavarur dhe është arritur në përfundim që ky impiant nuk dëmton shpellën”, thotë Gëzime Hasani, Këshilltare në Ministrinë e Ambientit.
Ndërkohë, asnjë hap konkret nuk është hedhur për ndalimin e punës së gurthyesve të cilët po ashtu rrezikojnë rëndë dëmtimin shpellën e Gadimes.
Megjithëse zyrtarët e Ministrisë së Ambientit muaj më parë kishin deklaruar për Top Channel se këta gurthyes kanë kaluar çdo parametër të lejuar për nxjerrjen e gurit, në terren nuk është marr asnjë masë. Rreziku për dëmtimin e shpellës vazhdon ende të mbetet permanent.
Shpella miliona-vjeçare gjendet rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës. Bazuar në vlerësimet e ekspertëve shpella e Gadimës është e vjetër rreth 80 milion vjet. Ajo ishte zbuluar rastësisht nga një banor i zonës në vitin 1969.
Top Channel