Në protestën e organizuar para godinës së Qeverisë, si kundërpërgjigje për demostratën e shqiptarëve të një dite më parë, mezi janë tubuar 100 të rinj maqedonas.
Edhe pse protesta ishte thirrur për të kërkuar dënim maksimal për autorët e vrasjes së pesëfishtë në Shkup, protestuesit maqedonas më tepër u përqëndruan në thirrjet raciste kundër shqiptarëve.
Me ftytyra të mbuluara dhe me flamuj maqedonas, protestuesit kanë kënduar këngë nacionaliste, duke kërkuar Maqedoni të pastër pa shqiptarë dhe përsëritjen e masakrës së Srebrenicës për shqiptarët.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar se emri Maqedoni, asnjëherë nuk do të zhduket!Maqedoni e pastër! Maqedoni e pastër!”, ishin thirrjet e protestuesve.
Protestuesit maqedonas janë sjellur keq me gazetarët që në numër të madh kishin ardhur për ta ndjekur këtë protestë të paralajmëruar në rrjetin social Facebook për rreth një jave. Ata përvec që refuzuan të prononcohen për mediat, po ashtu sulmuan një kameraman dhe një gazetare.
Një ditë më parë, mijëra shqiptarë të Maqedonisë për herë të dytë kanë protestuar para Qeverisë kundër aksionit të fundit policor ku arrestuan 20 shqiptarë. Këtë radhë ata revoltën e tyre e kanë shprehur edhe para selisë së partisë shqiptare në pushtet BDI.
Top Channel