SKËNDER MINXHOZI – Katër ditë pasi në media vërshoi lajmi i një darke të
vonë, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, pasionet që ai prodhoi nuk janë
shuar ende. Ato mbeten të forta dhe në shumë raste diametralisht të
kundërta.
Megjithatë, përmes këtij debati popullor që ka pushtuar blogjet e internetit dhe kafenetë e Tiranës, po bën gradualisht udhë me bërryla, ideja se në fund të fundit po konsumohet me vonesë, ajo lëvizje e detyruar, që i nevojitet prej vitesh të majtës, për të krijuar një masë kritike votash, që do ta nxirrte me siguri në pension Sali Berishën vitin e ardhshëm. Sërish, mbetet e vështirë t’u shpjegohet një pjese të mirë të njerëzve se përse nuk duhet çuar në pension, bashkë me Berishën, edhe Ilir Meta.
Ka padyshim shumë skepticizëm, dëshpërim e pse jo, edhe pështirosje, te një pjesë e popullit opozitar, teksa pa sesi takohen dy burra që e kanë kthyer luftën publike mes njëri-tjetrit, në objektivin kryesor të jetës së tyre në tre vjetët e fundit. Rama dhe Meta mund të jenë duke shkuar drejt një stine të madhe afrimi, por kjo aleancë po ngrihet, të paktën momentalisht, mbi mosbesimin e thellë të një pjese të madhe të opozitës dhe votuesve të saj. Ky bashkëpunim me LSI, gjen sot pak mbështetje dhe mirëkuptim në një ambient të gjerë njerëzish të thjeshtë, ose edhe liderësh opozitarë, të cilët janë angazhuar në mënyrë intensive, politikisht dhe shpirtërisht, në bërjen “lanet” të asaj pjese të së majtës, që i përdori votat popullore për të mbajtur në pushtet Sali Berishën. T’u shpjegosh këtyre njerëzve këtë kthesë të papritur, do të kërkojë kohë dhe mund. Dhe prapë nuk ka garanci se kjo mund t’i zeronte kostot që po krijon këto orë ky afrim, brenda kampit të majtë.
Ka vetëm një motiv që duket se mund ta justifikojë në një të ardhme, këtë që po ndodh sot, vetëm një vit e pak pas 21 janarit! Ky motiv, mesa kuptohet në sjelljen e Edi Ramës, është i thjeshtë: të afrohemi me Metën që të largojmë Berishën! Kjo është alfa dhe omega e darkës së Lalëzit. Të paktën sipas vizionit të Ramës, pasi taktika e Metës mbetet ende e mbështjellë nga misteri. Ai është njëherësh sot, edhe aleati kryesor i Berishës, edhe kolona e tij e pestë!
Megjithatë, populli opozitar, tani që emocionet e darkës së Lalëzit po nisin të fashiten, bashkë me habinë që shkaktoi kjo krushqi armiqsh, ka mundësinë ta analizojë me qetësi këtë operacion votash që po ndodh. Në fund të fundit, votuesit e opozitës, që me të drejtë janë revoltuar nga ngjalat politike mes PS-së e LSI-së, nuk kanë pse mos ta marrin parasysh mesazhin e kriptuar që po u jep lideri i partisë, me anë të takimit me Metën.
Para se të goditet me gur, gjesti më i fundit i Edi Ramës duhet marrë si një akt i hapur sinqeriteti politik. Ai po u thotë shqiptarëve të vërtetën e thjeshtë, të cilën po vetë ka refuzuar ta pranojë për shtatë vjet rresht: zgjedhjet nuk fitohen vetëm! Një aksiomë ku ka thyer kokën Fatos Nano, i cili shpotiste “partinë e skraparllinjve të inatosur”, por ku u përplas edhe ëndrra e Edi Ramës për të fituar gjithçka i vetëm. Kodi Zgjedhor, trysnia e paskrupullt e pushtetit, shitblerja e vjedhja masive e votave, loja e ndyrë e mediave qeveritare e pse jo, edhe qëndrimi shpesh oportunist e konjuktural i ndërkombëtarëve, të çojnë natyrshëm drejt idesë se një rotacion normal i pushtetit, në kushtet aktuale, është diçka në kufijtë e të pamundshmes. Rama po tregohet i ndershëm dhe realist në këtë lexim që i bën perspektivës politike afatshkurtër në Shqipëri, të dominuar nga një regjim i tipit putinist, ku çdo vlerë demokratike është relativizuar e mpakur me kalimin e kohës. T’i shkëpusësh këtij pushteti njërin nga komponentët e tij bazë, është padyshim një operacion i dyshimtë nga pikëpamja etike e morale, por që nga logjika e shifrave s’mund të jetë i qortueshëm.
Historia politike e shtatë vjetëve të fundit ka vendosur rregullisht përballë dy mënyra të ndryshme të të bërit politikë. Sado që alkimistët mediatikë pranë qeverisë të përpiqen të venë shenjën e barazimit mes Ramës dhe Berishës, deri më sot ai ka qenë thellësisht i ndryshëm në atë që ka bërë, në krahasim me Doktorin. E ndoshta prandaj edhe ka humbur, pasi ka hyrë në llumin e politikës shqiptare duke predikuar herë “politikën e re”, herë mospajtimin ndaj “tradhtarëve” të të majtës që bashkuan votat me Saliun, e herë largimin e kastës së vjetër politike të këtij vendi. Sot Edi Rama, përmes këtij afrimi në thelb karikatural me Ilir Metën, hyn në “klubin” e të mëdhenjve të politikës shqiptare, i veshur me rrobat dhe moralin e tyre. Rilindja shqiptare, këtej e tutje, shumë-shumë mund të quhet hakmarrja shqiptare. Sepse në fakt, kjo që po ndodh është një tentativë e shefit të opozitës, për të marrë një hak të vonuar, mbi ata që drejtojnë prej shtatë vjetësh këtë vend duke spostuar vota e duke flirtuar me cilindo që i ka dalë përpara, vetëm e vetëm që të mos humbin pushtetin. Rama ka vendosur të paguajë një taksë të rëndë për të marrë pushtetin në 2013. Shumë më të rëndë se ajo që refuzoi të paguajë në vitin 2009. Por më mirë vonë se kurrë. Me kusht që Ilir Meta të mos jetë duke bërë gjoja edhe kësaj radhe…
Top Channel