Në kohën kur Greqia përballet me një prej momenteve të saj më të vështira politike dhe një vorbull problemesh të ekonomisë që sa vijnë e shtohen, kufiri i saj 200 kilometërsh me Turqinë po kthehet në vatrën e një tjetër krize: atë të refugjatëve.
Mijëra vetë që i largohen varferisë e trazirave në Lindjen e Mesme, Afrikë e Azinë e Jugut, kalojnë cdo muaj vijën kufitare mes dy vendeve, një trend që po i vendos seriozisht në provë liderët grekë, po ushqen mbështetjen për grupet ultranacionaliste e po shton tensionet mes Athinës dhe Bashkimit Europian.
Kufiri që kalon në Luginën e Gjelbërt të lumit Evros është kthyer në pikën e preferuar të kalimit për trafikantët dhe emigrantët që duan t’i shmangin rrugët e rrezikshme.
Në momente të caktuara nga kjo zonë mbërrijnë të dhëna për kalime të paligjshme të kufirit në masën 90 përqind, thotë Frontex, agjensia Europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimin të Kufijve të Jashtëm të Shteteve anëtare të BE-së.
Zyrtarët grekë presin këtë vit një valë prej më shumë se 100.000 emigrantësh. “Vendi im është i rrezikshëm”, tha një i ri somalez për Wall Street Journal, kurse Greqia ka paqe e stabilitet.
Megjithatë në momentin kur përballen me realitetin e ashpër të shtetit helen, ku po bëhet gjithmonë e më e vështirë të gjesh punë, jo të gjithë e kanë dëshirën për të qendruar.
Por hyrja fshehurazi në vende të tjera te bllokut europian nuk është aq e lehtë sa përvjedhja në territorin grek, ndaj një pjesë e këtyre njerëzve detyrohen të paguajnë për dokumente të rreme që të marrin avionin, ose i rikthehen rreziqeve të rrugëtimit në det.
Numri total i klandestinëve dhe azilkërkuesve të paregjistruar në Greqi nuk është i qartë, por mendohet të variojë diku tek 700.000 vetë edhe pse sipas organeve greke të rendit, kjo shifër mund të shkojë edhe në 2 milionë.
Ndërsa të pastrehët e të papunët mbushin sheshet dhe parqet e qyteteve greke, ndjenjat anti-emigrantëve kanë nisur të rriten frikshëm dhe sipas Human Rights Watch, sulmet me sfond racial po marrin përmasa alarmuese.
Top Channel