Tepelenë, shkolla me dy nxënës

10/05/2012 00:00

Shkolla e fshatit Lekël në Tepelenë ka vetëm një mësues dhe dy nxënës.
Mësuesit i duhet të udhëtojë çdo ditë nga Gjirokastra me një mjet të
rastit deri në Urën e Leklit dhe pastaj të bëjë rreth 40 minuta në këmbë,
për të shkuar në shkollë.

Polo Puleri në arsim prej 40 vitesh thotë se shkolla ka pasur ditë edhe më të mira, duke treguar pjesën e shembur të saj, por numri i nxënësve ka ardhur duke u pakësuar dhe bashkë me të edhe interesi për shkollën.

Nxënësit e vetëm të kësaj shkollë Renato dhe Kristina duket qartë se nuk bëjnë jetë shkollore. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tyre ata nuk mund të organizojnë aktivitete, nuk mund të luajnë dhe shpesh siç thonë edhe ata vetë në ditë me reshje nuk vijnë fare në shkollë.

Fakti që kjo shkollë ju shërben vetëm 2 fëmijëve duket se e ka bërë atë të harruar nga të gjithë. Muret e mbuluara nga lageshtira dhe mungesa e ndriçimit janë detaje që nuk ju bëjnë më përshtypje as vetë fëmijëve të cilët të gjithë ciklin fillor po e përfundojnë në këto kushte. Në rrethinat e Tepelenës shkollat ku fëmijët privohen nga shoqërizimi dhe vuajnë kushte ekstreme të mjedisit shkollor janë mbi 20.

Top Channel