Mësim grek për Europën

09/05/2012 00:00

MONIKA SHOSHORI STAFA – Zgjedhjet e fundme parlamentare në Greqi kanë
befasuar rajonin dhe kanë tronditur mendimin politik europian.

Pikërisht në “muajin e Europës”, në muajin e promovimit të idesë europiane si ide përbashkuese; në shtetin fqinj të Jugut ndodhi ajo që nuk pritej, ose së paku nuk ishte parashikuar nga askush (shtypi, exit pol-et): të dy formacionet e mëdha tradicionale politike të vendit, të së djathtës e të së majtës, pësuan një dështim të madh politik, duke rënë në kuotat më të ulëta të influencës politike qëkur s’mbahet mend. Rënia e tyre qe aq e madhe, saqë tani për tani është e vështirë të përfytyrohet një ekuacion qeverisjeje të një shumice solide. Por befasimi nuk mbaron këtu. Ndërsa pritej që dështimi politik i dy të mëdhenjve do të çonte në forcimin e qendrës liberale dhe socialdemokrate, ndodhi e kundërta: gjithë fuqia e humbur e dy partive të mëdha greke u shpreh në zgjerimin evident dhe të frikshëm të peshës dy partive deri më sot minore të dy ekstremeve gjegjëse. Eurokomunistët në njërën anë dhe neonazistët në anën tjetër, si dhe disa parti të tjera të vogla që anojnë nga ato, në fakt tashmë janë faktori kryesor politik në Greqi. Mund të supozohet se një qeveri e re greke nuk mund të krijohet pa to, dhe kjo është arsyeja që menjëherë pas njohjes së rezultatit në Athinë u bë thirrje për një “qeveri të shpëtimit kombëtar”, sigurisht një qeveri të re kompromisi, që do të thotë të përkohshme, sepse kompromiset nuk zgjatin shumë. Nëse socialistëve të PASOK-ut dhe nacionalistëve të “Nea Demokratia”-s do t’ua kishte marrë zgjedhësit dhe votën ndonjë grupim partish liberale, kjo do të kishte qenë krejt e zakonshme dhe askush nuk do të çuditej. Por në Greqi ndodhi ndryshe. Mirëpo ndodhi ndryshe: jo qendra, por skajet, madje skajet frikësues, ua morën këtë ndikim. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës provuan se në Greqi fitoi pakënaqësia: votë pakënaqësie nga të dy krahët; votë mosbesimi tek qendra, që do të thotë votë denoncimi të mungesës së qëndrueshmërisë. Dhe ky është një faktor objektiv, për të cilin grekët të paktën janë të vetëdijshëm. Të pakënaqurit e së djathtës nacionaliste shkuan edhe më tej se e djathta dhe u rreshtuan në një krah të rrezikshëm, në një krah që e mendon Greqinë të rrethuar me mure, në një krah që synon të ringrejë kufirin, por me kë po e ngre këtë kufi? Së paku në një pjesë ky është kufi me Europën vetë. Është pikërisht krahu që kërkon spastrimin, dëbimin e të huajve, krahu i mbështetur mbi ksenofobinë dhe deri-diku edhe racizmin. Në fakt, jo për panik, por për hir të së vërtetës, në shtypin e Perëndimit (edhe në shtypin shqiptar), ky krah, që administroi më djathtas pakënaqësinë e të djathtëve të dëshpëruar, është cilësuar neonazist. Nëse i referohemi historisë së afërme, dukuri të tilla nuk janë të panjohura në Greqi. Një totalitarizëm ideologjik, nacionalist dhe ushtarak sundoi me dekada të tëra në këtë vend pasi u arrit armëpushimi midis dy krahëve të luftës antifashiste, deri në rënien e juntës dhe vendosjen e republikës parlamentare. Të gjithëve u kujtohet “Njeriu me karafil”, Nikos Bellojanis; të gjithëve në këto ditë u vijnë në mendje përpjekjet titanike të intelektualëve grekë në Perëndim për të rikthyer vendin e tyre te demokracia perëndimore, që ishte një fitore jo vetëm për Greqinë. Në krahun tjetër, çfarë e humbi PASOK-u, nuk e akumuloi ndonjë parti socialdemokrate, siç pritet në raste të tilla, por pikërisht rivalët më nga e majta të socialistëve, Partia Komuniste e Greqisë, e cila deri më sot nuk ka qenë ndonjëherë faktor politik, domethënë kushtëzuese në procesin e formimit të ndonjë qeverie. Emri i nazistëve, sikurse dihet, është një shkurtesë e emrit të partisë “Nazionalsozialzmus”, nacionalsocialistëve. Në Greqi u lartësuan këtë herë të dy krahët e kësaj kompozite: edhe nacionalistët ekstremistë dhe puritanë, edhe komunistët internacionalistë dhe radikalë. Ky është një sinjal i fortë alarmi jo vetëm për Greqinë, jo vetëm për Europën, por për të gjithë. Dihet mirë se në Kushtetutën europiane ndalohen idetë raciste, neonaziste, diskriminuese, për rrjedhim dhe funksionimi i partive neonaziste. Kushtetuta europiane është kushtetuta e bashkëjetesës dhe jo e pastërtisë etnike; është kushtetuta e promovimit të identiteteve dhe e përjashtimit të ksenofobisë. Në njëfarë mënyre, triumfi i ekstremeve politike të vendit, përveç që certifikoi paaftësinë qeverisëse të sistemit bipartiak të Greqisë, të ngjashëm me atë të Shqipërisë, është një “atentat” ndaj europeizmit, që gjatë muajit ka festën e kulturës së vet politike; një ikje prej modelit të multietnicitetit, multilingualizmit, multikulturalizmit. Rritja politike e eurokomunistëve dhe e neonazistëve provon se sa thellë ka depërtuar kriza greke, që është një krizë dëshpëruese për çdo autoritet që vjen nga e kaluara, por njëherësh që inkurajon forca të paidentifikuara politikisht si forca europiane. Ashtu siç është provuar dhe herë tjetër, kështu ekstremet piqen me njëri-tjetrin dhe kur vendi mbetet në duart e ekstremeve nuk ka siguri për më tej. Mund të duket sikur nuk ka asnjë lidhje midis asaj që ndodhi në Greqi dhe realitetit në Shqipëri, sepse, siç jemi mësuar të dëgjojmë, te ne nuk ka krizë, te ne ka rritje ekonomike të qëndrueshme, jemi modeli i progresit pas Gjermanisë etj. Mirëpo problemi është pak më i ndërlikuar. Ka të paktën dy muaj që opinionet shqiptare janë mbërthyer te “Main Kampf” – “Lufta ime” e Hitlerit. Aq shumë ka zënë vend në shtyp debati për këtë libër, sa që një ministër në qeverinë gjermane u detyrua të deklaronte se ky libër nuk duhej të botonte. Entuziazmi me të cilin u prit ky libër, siç priten në mjediset shqiptare gjithë librat problematikë, ishte jo vetëm i çuditshëm, por krejt i papërligjur. Një simpati misterioze për Fuhrer-in, që i paska dashur shqiptarët e i ka quajtur arianë; një mitizim i mosshpalljes së luftës Shqipërisë; për të mos thënë dhe një inkurajim i dyshimeve nëse vërtet shqiptarët i kanë shpëtuar hebrenjtë, gjë që nuk arriti ta sfumojë as seanca parlamentare promovuese e Kuvendit. Në opinionet europiane jo solemniteti i deputetëve në mburrje të vlerave shqiptare për shpëtimin e hebrenjve nga Shoah, por botimi i bujshëm i “Main Kampf”, ka zënë vend dhe ka krijuar pikëpyetje. Por nuk është vetëm kjo. Gjatë më shumë se dy dekadave shqiptarët janë llogaritur si populli më pak antiamerikan dhe më pak antieuropian në botë. Për të mos thënë se nuk kishte asnjë statistikë për ndonjë faktorth shqiptar joeuropeist. Sigurisht kjo ka qenë pjesërisht fasadë, sepse gjatë vitit të kaluar e gjatë këtij viti gjithfarë shoqatash janë krijuar, tani për tani me karakter albanocentrist, por a nuk fillojnë edhe komplekset e superioritetit dhe të tjera komplekse që shpien në neonazizëm pikërisht prej këtu? Nuk mund të thuhet se në Shqipëri sot nuk ka ksenofobi. Sa shumë janë bërë fajtorë për dështimet tona pikërisht fqinjët, sidomos të këndej Adriatikut. Nuk kanë kaluar pa rënë në sy këto zhvillime, për herë të parë këtë vit kanë dalë kartonët e verdhë edhe kundër nacionalizmave shqiptarë, këtu e në Kosovë. Dhe pikërisht këtu duhet të nisë mësimi grek për Shqipërinë. Kriza mund të mbulohet, por jo përgjithnjë. Sistemi bipartiak mund të jetë i suksesshëm dhe të mëdhenjtë mund të alternohen me njëri-tjetrin kur ka kohë zhvillimi të qëndrueshëm. Në kohë krize dalin në pah fuqi politike befasuese. Depresioni ekonomik kthehet në depresion politik dhe atëherë fitojnë ekstremet, sepse pushteti merret prej forcash të reja pikërisht në kohë krize, por të mëparshmit janë konsumuar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA