Ka shkatuar debat në Komisionin e Medias prezantimi nga ministri Aldo Bumçi i iniciativës së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të rijetësuar objektet e trashëgimisë kulturore në vend duke i dhënë disa prej tyre me koncesion.

Diskutimi ka marrë nota politike kur anëtarë të ndryshëm të Komisionit, përfaqësues të dy forcave më të mëdha politike në vend, janë përpjekur t’i ngarkojnë fajin njëri-tjetrit për keqfunksionimin e koncesioneve të dhëna deri tani.

 “Askush nga deputetët nuk është shprehur kundër nismës në vetvete. Thelbi i debatit ka të bëjë me modelin. Kush është modeli dhe sa bazë ligjore ka ai”, u shpreh Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit të Medias.

“Kundërshtitë janë pjesë e luftës politike dhe interesave të ngushta. Këta zotërinj shpresojnë të kthehen në pushtet dhe këto kala t’i marrin siç i kanë marrë dikur”, theksoi Edi Paloka, anëtar i Komisionit të Medias.

Ndërkaq Bumçi e ka mbrojtur këtë iniciativë duke cituar se ka qenë një praktikë e suksesshme në shumë vende të botës: “Trashëgimia kulturore e Shqipërisë vlerësohet si nga potencialet kryesore për të zhvilluar turizmin. Si mundet ta shfrytëzojmë këtë potencial nëse ne nuk ofrojmë as shërbimet minimale në parqet arkeologjike dhe në monumentet e kulturës.”

Ndërkaq anëtarët e Komisionit kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me realizimin e kësaj nisme.

“Trashëgimia qindravjeçare të lihet në dorë të një privati që e ka rregulluar me persona të veçantë në ministri do të ishte një shkatërrim total”, deklaroi Fatmir Toçi, anëtar i Komisionit të Medias.

Top Channel