Skënder Minxhozi – Një javë më parë lindi Fryma e Re Demokratike. Nuk ka
më nevojë formalisht të quhet Partia e Topit, megjithëse, ndoshta, ky
emër-hije do ta shoqërojë edhe për shumë kohë.
Sepse, me mënyrën sesi vendosi të hyjë në skenë, kjo forcë e re politike e përforcoi edhe për më skeptikët, idenë e një projekti që pret të plotësohet me kalimin e javëve. FRD është shfaqur të hënën e shkuar, para shqiptarëve, pa bujë, thuajse me ndrojtje e pa zë të lartë. Sikur donte të shmangte publicitetin dhe dritën e prozhektorëve të medias, që janë ndezur prej kohësh mbi të. Një ceremoni inaugurimi ku binin në sy emrat e dy figurave më të reja drejtuese, Oketa e Biberaj, të shoqëruar me vajza e djem të rinj, ishte preludi më i papritur i mundshëm për partinë që shënon çarjen e parë serioze djathtas, që nga viti 2005. Pas ditës së parë të lançimit, në selinë e partisë së re, pranë Kuvendit, mund të gjesh një klimë të qetë vizitorësh e simpatizantësh që vijnë të anëtarësohen. Gjithçka të bën të mendosh jo për një lëvizje politike zhurmëmadhe, por për një parti që do të konsumojë pa protagonizëm, të gjithë kohën që na ndan nga zgjedhjet, për t’u organizuar dhe shtrirë në të gjithë vendin.
Si e tillë, pas javës së parë të jetës së saj, FRD nuk del jashtë identikitit të një force politike tërësisht normale dhe aspak sfiduese. Edhe zgjedhja për të mbajtur larg disa nga figurat e njohura të së shkuarës në PD, si ish-kryeministri Meksi, duket sa e diskutueshme, aq edhe e kalkuluar, për të dhënë një imazh tjetër politik, nga ai i një force politike të krijuar nga ish-demokratë të zemëruar me Berishën, që mezi presin “të marrin hak” mbi të.
Megjithatë, duke u ndalur te ky detaj me rëndësi i vitrinës së parë që paraqiti FRD, evitimi i emrave të njohur të së shkuarës mund të jetë një bast që s’dihet se çfarë efektesh do të ketë, sidomos nëse kjo parti politike do t’u drejtohet me preferencë disa sektorëve të caktuar të së djathtës, si ish-pronarët e të përndjekurit. Pa llogaritur faktin që vetë Meksi, Selami, Çela apo Mustafaj, ishin parë si figura politike te të cilat partia e Presidentit do të investohej fort në këtë vit elektoral ku po hyjmë.
Është e drejtë të thuhet sot, një javë pas përurimit, se FRD është një projekt politik i hapur, një lloj kantieri. Dhe mbi të gjitha, një skemë politike që pret të zotin, kreun e orkestrës. Kjo është e qartë e po shihet në çdo ditë që kalon. Profili i ulët që zgjodhën të mbajnë në ditën e parë të prezantimit me publikun, dëshmon indirekt, me sa shihet, se krerët kolegjialë të FRD kanë vendosur të mbajnë një qëndrim gjysëm të tërhequr, për ta ruajtur të paprekur impaktin publik që do të kishte zgjedhja e Topit në krye të partisë, me shumë gjasë pas korrikut të këtij viti.
Por me sa duket, në këtë start të kujdesshëm, luan rol edhe një faktor tjetër. Fryma e Re Demokratike doli në skenë disa javë pas inaugurimit të Aleancës Kuq e Zi. Nuk është e tepruar të thuhet se kjo forcë e re politike, pra FRD, shkon e pozicionohet në një sektor të spektrit politik, sa më larg “përplasjes” me Aleancën e Kreshnik Spahiut. E ndryshme nga AKZ në qasjen ndaj publikut, në artikulimin politik të deritanishëm (pa akuza të forta dhe sidomos, pa nuancën e një nacionalizmi populist), në stilin e organizimit të brendshëm (pa mitingje të mëdha publike), dhe në përkujdesjen për t’u shfaqur si një forcë politike që kërkon votat e djathta pa zhurmë dhe sforcim, Fryma e Re Demokratike ngjan sot si një zgjatim i mandatit presidencial pesëvjeçar të Bamir Topit. E qetë, zëulët, pa dëshirë për protagonizëm, me një ritëm të përmbajtur në shpalosjen deri në fund të pëlhurës që e mbulon. Kjo të paktën shihet deri tani nga “vrima e çelësit” të kësaj partie, derisa dera të hapet dhe ish-presidenti Topi të hyjë për t’u ulur në podiumin që i takon.
Në një javë është herët të thuhet diçka më tepër për një parti të re politike. Sidomos, është e parakohshme të hidhet në lotari roli që ajo do të luajë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo i takon asaj që FRD do të jetë në gjendje të bëjë në të ardhmen, i lidershipit, ideve, programit, aleancave, fushatës elektorale, që do të jetë e aftë të prodhojë që sot e tutje. Deri më tash, një javë pas lindjes, ajo mbetet ende një premisë në skenën tonë politike. Si e tillë, ajo mbetet një projekt i hapur për çdo lloj fati dhe prognoze. Por gjithsesi, më se e mjaftueshme, potencialisht dhe brenda konjukturës aktuale politike, që të dëmtojë ëndrrën e Berishës për një mandat të tretë qeverisës.
Top Channel