Makina del nga rruga e bie në lumë

01/05/2012 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, në vendin e quajtur Ura e Topojanit.

Një makinë tip “Benz” me targa të kryeqytetit doli nga rruga duke u rrukullisur rreth 50 metra dhe më pas përfundoi në lumin Drin.

Menjëherë në vendngjarje shkoi policia, e cila fillimisht bëri të mundur nxjerrjen e makinës nga lumui, por jo viktimën, të cilin e rrëmbyen ujërat.

Viktima është shtetasi Maringlen Halili, 20 vjeç, i cili ishte dhe drejtues i automjetit. Ai ishte nisur nga Maqellara në drejtim të Bulqizës.

Policia nisi kërkimet në lumë dhe pak më vonë gjeti trupin e tij, rreth 2 kilometra larg vendit të aksidentit.

Ndërkohë, dyshohet se në mjet ka qenë edhe një tjetër person, por kjo ende nuk është konfirmuar. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë konsumimi i alkolit.

Aksidentet rrugore në vend vazhdojnë të jenë në nivele të larta dhe kryesisht ndodhin për shkak të papërgjegjshmërisë së drejtuesve të automjeteve.

Ndërkohë, me ardhjen e stinës së verës pritet që të kthehen emigrantët, të cilët ndryshe nga vendet ku jetojnë, kur vijnë në Shqipëri janë të predispozuar të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. 

Top Channel