1 Maji: nga shenja e vdekjes te vdekja e shenjës drejt shenjës së jetës

01/05/2012 00:00

Arlind Qori – Pse është pushim 1 Maji? Nëse jetojmë në shoqëri demokratike, tregtare,
egocentrike, ku pretendimet individuale janë njëlloj legjitime, qofshin
ato për bukë të gojës apo për gojë të bukur, e ku grupit i jepet kuptim
vetëm kur përfaqëson interesat e disave në konkurrencë me ata të të
tjerëve, atëherë ç’kuptim ka 1 Maji?!

Eshtë dita e punëtorëve do t’ia behë ndokush. Mirë, mirë, por kjo shërben si batutë për të mos e lodhur mendjen se për pak nis spektakli televiziv i mbrëmjes. E pse duhet që punëtorët të kenë ditë të shënuar me të kuqe? Për barazi kandari duhet me e gjet’, në mos me e shpik’, një ditë edhe për pronarët. Apo s’rropaten ata së hapuri vende pune, së investuari në sektorë që si për magji fryjnë xhepat e tyre e të shoqërisë njëkohësisht! Magji, dredhi arsyeje, dorë e fshehtë e zotit a dreqit, apo zotit të bërë dreq (po kurrë dreqit të bërë zot o i pazoti Bakunin!) që qëllimin më ego-petal të mundshëm e fut në kapele cilindrike dhe nxjerr s’andejmi lepurin e majmë që ushqen gjindjen. Pastaj, pse për punëtorët në tërësi? Pse jo një ditë për minatorët, tjetrën për shitësit e cigareve, një të tretë për muratorët, të katërtën për hidraulikët…të treqindegjashtëdhjetepestën për të papunët?! E meqenëse ditë-pushimi merr kuptim vetëm si mur mes dy ditë-punëve, atëherë i skuqur tërësisht, kalendari mund të kthehet sërish tek e zeza uniformuese tradicionale, ku në vend të pushimit, secilës datë i shtohet nga një shënim identifikues si në kalendarët e shenjtorëve.

Megjithatë 1 Maji edhe këtë vit është pushim. Ndoshta e kanë harruar nën peshën e inercisë. Ndoshta jo, por pse duhet hequr xhanëm një ditë pushimi kur populli del xhiro, ha fara, pi kafe e sheh diellin apo më mirë akoma ëndrra në diell?! Kujt i prish punë një ditë feste, madje e vetmja festë ku pushimi është aq absolut sa nuk të ngarkon të shkosh për qokë nëpër institucionet fetare apo të mbash fjalim televizorit? 1 Maji është si një e diel shtesë pranverore, një shenjë e vdekur, megjithëse ende e pakallur, madje qëllimisht e pakallur sa kohë kallja mund të revoltonte frymët (jo frymorët). Veçse shenja nuk vdes nga anakronizmi i kuptimit historik, por kur të shënjuarit prej saj, ata që përmes punës mbajnë gjallë veten – edhe për pak, fëmijë – mbase më shumë, shoqërinë – buzë greminës, të nginjurit – në pafundësi… ata punëtorët, në intimitetin e shfrytëzimit e poshtërimit, s’arrijnë ta ngrenë kokën kah shoku në krah, të bëjnë krahët bashkë, t’i ngrenë krahët e kryet lart, të ngjallen politikisht… ta mbushin me frymë të vdekurën shenjë, të 1 Majit shenjë.

E të mendosh se s’ka as një çerek shekulli që 1 Maji përcëllonte në dukshmërinë e vet, skuqej paradave, këndohej lumnueshëm, buzëqeshej tribunave! Gjithçka ishte përveçse bosh apo e vdekur. Vetëm se në kudhrën e çekanit të padronëve të rinj punëtori u zhduk si subjekt autonom dhe i vetëdijshëm për fuqinë e tij. Iu hodhën prangat në emër të çlirimit nga prangat; iu këndua kënga; iu thanë të mirat fjalë… bash si në ditën e mortit kur të vdekurit mund t’i thuret çdo lavd, sidomos tash që s’mundet të bëzajë veçse përmes rrasës së varrit a lapidarit. E nga kush? Nga ata që i shpronësuan punëtorët edhe nga më intimja fjalë politike “shok” (në latinisht cum-panis, ai që në solidaritet ndante bukën në dysh, barazisht me tjetrin, shokun, bashkëluftëtarin) për të shënjuar largësinë e tyre mbretërore (shoku-shokut i thirrej në emër, ndërsa mbretit të ri “shoku Enver”). Kësisoj, për fatzinjtë e motpasmotshëm, vdekjes së shenjës s’mund t’i paraprinte veç shenja e vdekjes; e vdekjes së potencialit të tyre emancipues, drithërues për regjimet, çlirues të shpresës… potencialit të asaj që mendjet e shkrehura e quajnë utopi, pa vënë re se utopia s’është thjesht ajo çka s’gjen vend në terrenin e të sotmes, por mbi të gjitha ajo që i bën vend vetes duke shndërruar rrënjësisht terrenin, koordinatat e të menduarit të mundësisë dhe pamundësisë: Utopia e të jetuarit të lirë “dhe” të barabartë e jo të lirë “ose” të barabartë; utopia që çlirimin dhe mirëqenien e vetes e sheh të lidhur pashmangshmërisht me të të tjerëve.

Prandaj për çdo 1 Maj rinis së vërtituri fantazma punëtore; fantazma si asgjëja konkrete që kërcënon me gjithçkanë potenciale; fantazma që shpërfill vdekjen e shenjës dhe shenjën e vdekjes; fantazma që tremb jo se nxjerr dhëmbët e terrorit, por më keq e padurueshëm akoma për oligarkët shenjëzhdukës e tiranët vdekje-shenjës, se shpalos mundësinë e zhdukjes së privilegjeve, varfërisë, shfrytëzimit, poshtërimit, servilizmit. 1 Maji si shenja e jetës, e jetës së atyre që përmes punës e mundësive për punë mbajnë në këmbë të përbashkëtën, e jetës që e kapërcen nënjetën mbijetuese, e atyre që politikisht dhe ekonomikisht hiçësohen, e pse jo edhe asgjësohen… minierave, skelave, rrugëve. 1 Maji si shenja e të pashenjëve, e të papërfillurve, e atyre që kanë në duar edhe shtrëngimin e fillit për fytit të tyre, edhe çlirimin e vetes e shoqërisë nga fijet e panumërta frymëmarrëse. 1 Maji si shenja e trupit të pjesshëm që zë vendin bosh të universalitetit. 1 Maji si shenja e punëtorëve.

…………………

Këtë 1 Maj në Tiranë, si kudo në botë, shenja e jetës merr rrugën e ngritjes së zërit, e kthimit të zërit në drithërimë për trupat e veshët e kujdestarëve të interesave të të paktëve. Këtë 1 Maj, punëtorë nga ferri bulqizak, të papunë kokulur të Ushtarit të Panjohur (që s’arrin ta njohë qytetin për të cilin dha jetën), studentë të revoltuar nga shkatërrimi i pritshëm i universitetit publik, pensionistë që varfëria i shtyn të urojnë takimin me vdekjen, qytetarë të përjashtuar nga pjata elitare, sindikata, grupe politike e shoqërore, mblidhen së bashku për të shprehur publikisht, masivisht, zëshëm, papërkulshëm… vullnetin e përbashkët për dinjitet në punë, për punë të dinjitetshme për të gjithë, për arsim e shërbime shëndetësore publike e cilësore, për mirëqenie jo si pikëmbërritje e më të fortit a të shkathëtit, por si pikënisje e përbashkët… për atdhe si bashkëdhe e jo privatdhe.

Gazeta “Shqip”

Top Channel