Rankimi i shkollave te mesme

28/04/2012 00:00

Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj ka propozuar një skemë rankimi për 10
shkolla të mesme publike dhe private, mbi bazën e rezultateve të Maturës
Shteterore.

Kjo skemë, sipas deputetes socialiste Ledi Shamku, nuk është aspak e hapur dhe e drejtë, për shkollat publike, pasi Matura Shtetërore, mbetet një kriter shumë i diskutueshëm.

“Në një shkollë ku mbaroi vjet ime bijë, në qendër të Tiranës, provimi i maturës u zhvillua në rreptësi të plotë, në një shkollë tjetër ngjitur me të, u zgjidhën tezat në tabelë dhe ky rast u përsërit në shumë shkolla të tjera. Keni denoncuar edhe ju si media dhe ministria tashmë e di, që ka patur edhe rrjedhje edhe shitblerje të tezave të provimit, kryesisht nga shkolla jopublike, të cilat kanë qenë të interesuara që në njëfarë mënyrë të mos dilnin zbuluar mes rezultateve që ato nxirrnin gjatë vitit dhe çfarë do të verifikonte Matura Shtetërore. Thënë shkurt, për këto dy arsye, Matura Shtetërore është një kriter krejtësisht i papranueshëm, si kriter vlerësues i shkollave të mesme”, tha Shamku.

Deputetja Ledi Shamku, e cila eshte edhe anetare e Komisionit te Medias dhe Edukimit ka theksuar, se ky proces po i hap rruge skemes se financimit te shkollave jopublike.

“Grupi socialist i Komisionit Parlamentar i Edukimit, por edhe të gjithë ata që teknikët dhe njerëzit që kanë një jetë që merren me arsimin që erdhën dhe kontribuan në Komision, kemi të drejtë të besojmë njëzëri, si ne, si ata, që përderisa logjika teknike nuk e pranon që Matura Shtetërore të jetë kriteri dallues, ose kriteri përzgjedhës i vlerësimit të shkollave të mesme, kemi të drejtë të pranojmë se po kërkohet të aplikohet tinzash e njëjta skemë vlerësimi, që u aplikua me sistemin universitar publik dhe privat, për t’i çelur udhë më pas skemës së ndarjes së financimeve të parave publike, mes publikut dhe privatit”, tha Shamku.

Buxheti per arsimit kete vit eshte nder me te uletit, çka sipas deputeteve te opozites e ben te papranueshme zbatimin e skemes se financimit te nxenesve me te mire ne shkollat private. Ky subvencionim, qe kerkon te beje Ministria e Arsimit nuk ndikon ne uljen e tarifave qe paguajne çdo muaj prinderit shqiptar per te shkolluar fëmijet e tyre ne shkolla jo publike.  

Top Channel