Mendje e bukur me një moment fatal

28/04/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Lajmi se Ardian Klosi u nda nga ne, më ka pikëlluar pa masë. Jo se nuk e
prisja. Jo se nuk isha i përgatitur në subkoshiencën time që do ta
merrja një ditë këtë mandatë, porse logjika që mundohesha t’i imponoja
instinktit, më thoshte se një intelektual i klasit të parë, një mendje
brilante, me një formim të lartë, sublim, siç ishte Klosi, do ta kthente
mbrapsht, në çastin e fundit, tundimin e vdekjes si zgjidhje e shpagim
për jetën tokësore.

Qenkemi gabuar të gjithë. Juta që i ndenji pranë me aq devocion, ne shokët e tij që patëm mendjelehtësinë ta marrim pa alarmin e duhur atë që ndodhi pak muaj më parë, kur tentoi sërish të vetëvritej, e gjithë shoqëria që qëndroi pasive ndaj një drame që luhej në kushtet e një mediatizimi të plotë, porsi në ato telenovelat banale që mbushin përditë ekranet televizive.

Këto janë çaste kur shpirti njerëzor ndjehet ngushtë, në hapësirën prej mishi e kocke të kraharorit dhe kur pikëllimi mbyt gjithçka: respektin për atë që s’jeton më, shpresën se vepra që la pas do të na jetë e mjaftë për t’u çmallur, forcën për të ngushëlluar të afërmit e tij dhe veten. Sidomos veten, më lejoni të jem i sinqertë e aspak egoist. E kam njohur e dashur Ardian Klosin në një kohë të egër, kur vlerat njerëzore ishin kthyer përmbys dhe kur kaosi mbretëronte jetët tona. E kam ditur qysh në krye se s’do të kish qenë një rrugë e lehtë për të dy, për të, në dilemën e vazhdueshme ekzistenciale ku e mbante mendja e tij shkëndijëplotë, por edhe për mua, që shihja gjërat tokësore e mundohesha të humbja mendjen ndër to. Fati na e solli të ndahemi shumë herët nga njëri-tjetri. Kisha padyshim shumë për t’i thënë mikut tim që sot s’është më. Jam i bindur se edhe ka marrë me vete shumë nga ato që kish për të na thënë të gjithëve. Do të na duhet të mjaftohemi, si të mundim, me ato që Klosi ka lënë pas e që s’janë pak. Është i vetmi ngushëllim, në këtë ditë zie e pikëllimi për mbarë kombin, i cili humbi njeriun e madh të letrave. Një mendje të bukur, e cila pati një moment fatal dobësie.

Gazeta “Shqip”

Top Channel