Gjirokastër, problem furnizimi me ujë në 2 lagje

28/04/2012 00:00

Banorët në lagjet Manalat dhe Dunavat të qytetit të Gjirokastrës e
presin me shqetësim sezonin veror për shkak të furnizimit minimal me ujë
të pijshëm apo mungesës së furnizimit për ditë me radhë.

Situata thonë ata ka qenë e tillë vazhdimisht pavarësisht ankesave. Në lagjen Manalat jetojnë më shumë se 500 familje, një pjesë e madhe e të cilave në një lartësi mbi 450 metra mbi nivelin e detit. Të gjithë këta banorë duhet të përdorin motopompat për të tërhequr ujë nga tubacionet e amortizuara të ujësjellësit.

Ndërkaq vetë Ndërmarrja e Ujësjellësit pretendon se furnizimi i paktë me ujë i këtyre lagjeve lidhet me humbjen e një pjesë të ujit që vjen nga burimet prej lidhjeve të paligjshme në zonën e luginës së lumit. Ndërmarrja ka ndërprerë më shumë se 15 lidhje të tilla kohët e fundit dhe shpreson që situata të normalizohet.

Top Channel