Tiranë, goditet baza e falsifikimit të dokumentave

26/04/2012 00:00

Një bazë e falsifikimit të dokumenteve, që ndodhej në Rrugën e Durrësit,
pranë bllokut të ambasadave, është zbuluar dhe goditur nga ana e
policisë së kryeqytetit.

Seksioni kundër Krimit Ekonomik Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale ka realizuar operacionin e koduar “Patenta II” në kuadër, të cilit janë ekzekutuar urdhër-arreste për 4 persona, dy prej të cilëve të dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, pra falsifikim dokumentesh.

Kështu, pas disa muaj hetimesh në lidhje me veprimtarinë e tyre të paligjshme, u vunë në prangat e policisë 4 persona të cilët  akuzohen për falsifikim dokumentesh, trafikim mjetesh motorike dhe moskallëzim të krimit. Burime zyrtare të policisë njoftuan se kanë arrestuar në 61-vjeçarin Mariglen Nikaj, i dënuar më parë për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve; 62-vjeçarin Qazim Hysko, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh dhe po ashtu, në kuadër të këtij operacioni janë ndaluar edhe shtetasit Lulzim Murthi, 57 vjeç, dhe Behar Mata, 36 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasit e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u siguronin qytetarëve të ndryshëm dokumente të falsifikuara si leje drejtimi kombëtare dhe ndërkombëtare, dokumente të huaja automjetesh, dokumente shkollore të ndryshme të falsifikuara.

Hetimi i realizuar për këtë ngjarje ka filluar qysh në muajin nëntor të vitit 2011, ku u bë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të tyre shtetasve në fushën e falsifikimeve të dokumenteve të ndryshme, kryesisht certifikata, leje drejtimi kombëtare dhe ndërkombëtare, dokumente të huaja mjetesh, dokumente shkollore të ndryshme të falsifikuara, dokumente këto që i siguronin kundrejt vlerave që varionin nga 15.000 lekë deri në 50.000 lekë të reja.

Dyshohet se këta shtetas, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të automjeteve të shtetasve të huaj, bënin të mundur trafikimin e mjeteve nga shtetet e tjera për në Shqipëri.

Top Channel