“Shqip” solli këtë javë një intervistë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, një intervistë e parë televizive për Shqipërinë. Jahjaga është Presidentja e parë grua në historinë shqiptare, është imazhi i ri i Kosovës. E zgjedhur me konsensus dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Jahjaga kur u zgjodh me konsesusin e klasës politike kosovare pas ngërçit që u krijua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë, që cilësoi si të parregullt zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e kreut të shtetit të Kosovës.

Presidentja Jahjaga tregon vitin e saj në krye të shtetit të Kosovës, vështirësitë në kryerjen e detyrës, marrëdhëniet me klasën politike, objektivat e presidencës, lobimi për njohjet e reja, korrupsioni etj.

Sa i përket korrupsionit, fenomen për të cilin foli ashpër pak ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, presidentja Jahjaga tha se korrupsioni është një fenomen shqetësues, ashtu si në vendet e tjera të rajonit, edhe në Kosovë. Por, tha Jahjaga, të gjitha institucionet e Kosovës, vecanërisht strukturat e posacme, po luftojnë fort fenomenin dhe do të vazhdojnë ta bëjnë atë.

Sa i përket pesimizmit të shfaqur nga një pjesë e opinionit publik një vit më parë, kur u zgjodh presidente, zonja Jahjaga tha se është bart vitet e duhura për të vënë në shërbim të Kosovës përvojën dhe aftësitë e saj

“Kam qenë e re para një viti kur jam zgjedhur në këtë post, por mendoj që jam në vitet e duhura ku mund të jap përvojën, eksperiencën, atë që i duhet Kosovës. Kosova është faktor paqe dhe stabiliteti në rajon, Kosova shihet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar si një vend që jep kontributin e vet”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Kritikave të adresuara në fillim të marrjes së mandatit kur jo pak herë “përcaktohej” si “presidentja që doli nga zarfi amerikan”, zonja Jahjaga tha se përgjigjen për këtë duhet ta japin vetë qytetarët pasi ata vlerësojnë punën e saj dhe vlerësoi se nuk sheh asnjë kundërshtim mes interesave të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Sa i përket mundësisë për të rikandiduar për postin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se është ende herët për të folur, kur Kuvendi s’ka votuar akoma ndryshimet kushtetuese që do të përcaktojnë zgjedhjen e presidentit nga populli, ashtu sikundër është propozuar nga komisioni i ngritur posacërisht për këto ndryshime.

Në muajin korrik, parlamenti shqiptar do të votojë për presidentin e ri të vendit, pasuesin e presidentit aktual, Bamir Topi. Për Shqipërinë, presidentja Jahjaga kishte një këshillë: atë  që vendit i duhet një president i zgjedhur nga populli, më vullnetin e popullit.

Presidentja e Kosovës foli për lobimin dhe platformën shtetërore të Kosovës për njohje ndërkombëtare. Në këtë kuadër, presidentja vlerësoi një sërë vizitash. Lobimi për njohje të pavarësisë, tha ajo, është një proces ku përvec politikës, përfshihet edhe shoqëria civile edhe bota akademike. Zonja Jahjaga falenderoi miqtë ndërkombëtarë dhe Shqipërinë për kontributin e dhënë në rritjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

E cilësuar, jo vetëm nga mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare si politikania e butë që ngjall shpresë, presidentja Jahjaga është shndërruar tashmë në një pikë referimi edhe për shumë politikanë të tjerë.

Presidentja foli dhe për sfidat e Kosovës, që sic tha ajo, janë integrimet euro-atlantike, njohja e mëtejshme ndërkombëtare dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve. “Kosova i përket Europës”, tha presidentja.

Në 6 maj mbahen zgjedhjet serbe. Ashtu si në deklaratat e lëshuara edhe më parë, presidentja Jahjaga mbajti të njëjtin qendrim; zgjedhjet lokale serbe nuk do të mbahen në Kosovë dhe iu përgjigj negativisht edhe hipotezave që qarkullojnë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe në Kushtetutë shkruhet se nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti. E kam thënë, nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh, popujsh. Duhet të respektohen të drejtat e secilit komunitet, s’ka as status të vecantë. Komunitetit serb s’do t’i pranonte këto. Zgjidhja e vetme është mbajtja e zgjedhjeve të lira e demokratike në 3 komuna në veri të Kosovës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitime që do t’iu përmbahen Kushtetutës së Kosovës. Zgjidhja është përmes pakos Ahtisari që ka përfunduar në të gjitha komunat e tjera të Kosovës”, deklaroi presidentja.

Zonja Jahjaga u shpreh optimiste se njohja e Kosovës do të bëhet edhe nga Serbia në një kohë jo shumë të largët, kur dy vendet do të krijojnë marrëdhënie ndërshtetërore, pse jo dhe diplomatike.

Top Channel