Edgari: Arrita të përcillja mesazhin tim

23/04/2012 19:45

Ashtu si çdo të hënë, emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” u vizitua nga banori i fundit i larguar nga “Big Brother”.

Edgari 52-vjeçar, në një intervistë të radhës pas asaj të dhënë në studio pasi i dha fund ëndrrës për të fituar 100 milionë dhe në “Fan Club”, komentoi detaje të reja nga marrëdhënia e tij me banorët, foli për arsyet që e kanë bërë të largohet nga shtëpia, në të njëjtën kohë vlerësoi se e përmbushi me sukses misionin e tij për të treguar se brezi i tij mund të bashkëjetojë pa probleme me të rinjtë.

Fillimisht, duke u ndalur tek ditët pas eliminimit dhe komentet e publikut rreth lojës së tij, Edgari deklaroi: ““Është një ndryshim tepër i madh, pasi nga atje në shtëpi mësohesh me kufizimet që ka dhe zhvillimet brenda. Është e vështirë të dalësh në këtë dimension krejt të madh dhe të lirë. Tashmë jam shumë më ndryshe, më i ftohtë emocionalisht, më i qetë. Pak nga pak futem në realitetin e jetës së përditshme, ndërsa kam ende një shije të mirë nga “Big Brother”. Kam marrë komente nga të afërm dhe miq, por askush nuk më ka pyetur se si kam luajtur, sepse në të vërtetë, ata që më njohin panë edhe Edgarin e zakonshëm, nuk panë ndonjë ndryshim. Pa dyshim, në 63 ditë pati momente të mira dhe të këqija, por mbi të gjitha pati momente dëfrimi të mrekullueshëm”.

Në qendër të vëmendjes, pas daljes së Edgarit, kanë qenë komentet e tij ofenduese ndaj komunitetit çam. Duke pranuar se bëri një gabim strategjik, konkurrenti i sapoeliminuar deshi të ndryshojë këtë përshtypje, duke rrëfyer për marrëdhëniet e tij të ngushta personale që ka me çamë. “Ata që më njohin nuk më kritikuan, por më thanë se duhet të isha mbrojtur më shumë për atë që u bë shkak për daljen time. i thashë që nuk kisha përse të mbrohesha për diçka që nuk e kam bërë. Siç diskutohet dhe është shkruar shumë, jam penalizuar sepse kam akuzuar komunitetin çam, por nuk është kështu, sepse realisht jo vetëm që s’kam asnjë paragjykim, por edhe gruas sime, kur jam ndarë, i kam dhënë dy porosi. E para, që të kujdeset për tezen time që e kam në moshë dhe i kam dhënë një numër telefoni për çdo gjë dhe ai numër është i një mikut tim çam, i cili quhet Ali Plaku, nga Konispoli dhe ka një mbiermër besoj të njohur për të gjithë çamët”.

I pyetur në “Pasdite” për problemet e tij në përshtatjen me të rinjtë dhe për se sa e penalizuan ato, Edgari vlerësoi se këto marrëdhënie nuk ishin përcaktuese në largimin e tij nga shtëpia. “Është e vërteta që ndonjëherë ndihesha i larguar dhe i distancuar nga grupet që u formuan, por nuk ishte kjo ajo që më penalizoi, por siç thashë, komentet e keqkuptuara për komunitetin çam”.

Pavarësisht se nuk mundi të mbërrinte në finale apo të fitonte 100 milionët e lakmuara, Edgari beson se e ka përmbushur si duhet misionin e tij. i pyetur se çfarëkërkonte një njeri në moshën e tij që të tregonte në “Big Brother”, Edgari u shpreh: “ Duke u nisur nga precedenti i mamasë së Domenikës, nga dalja e saj e shpejtë, dikush nga ne e kishte për detyrë që duhet të ndryshonte këtë përshtypje, që brezi ynë nuk është një brez që nuk bashkëjeton dot mirë dhe në harmoni me brezin e sotëm. Mendova se e tregova qartë që mund të bashkëjetojmë, besoj në harmoni, ndonëse nuk e di se çfarë përshtypje kam dhënë jashtë, sepse përshtatja ishte nga të dyja palët. Unë kam precedentet e mi në jetën e përditshme, që shpesh herë shoqërohem nga adoleshentë ose të rinj, sepse kam vajzën dhe shpesh vijnë miqtë e saj. Kur ndodhemi në bar, shoqet e shokët e saj më kërkojnë, më ngacmojnë,  e gjithmonë kam qenë i mirëpritur mes tyre. Këto precedent, bashkuar me sfidën time personale, më bënë të mendoja se mund të realizoja një paraqitje të mirë në “Big Brother””. Besoj se dhashë një mesazh koherent, që brezi im dhe të rinjtë mund të bashkëjetojnë pa probleme me njëri-tjetrin”.

Në fund, Edgari komentoi edhe raportin e tij me luhatje me Françeskën. “Në ditët e para e sulmova më shumë sepse m’u bë acaruese për atë që përfaqënte, por në një transmetim live kohë më pas më pyeti opinionisti Konomi, dhe i thashë që kam ndërruar mendim për Francesken sepse ma bëri ajo ta ndërroj, sepse është e zgjuar. Ka edhe pjesën e koketës që ia kërkon mosha, por ndaj saj kam ndërruar tërësisht qëndrim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA