Makina përplas këmbësorin

21/04/2012 13:55

Një “aksident” rrugor ka ndodhur paraditen e së shtunës në Mirditë, ku një këmbësor është përplasur nga një automjet në lëvizje me shpejtësi të lartë.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se personi, i identifikuar si shtetasi Ardian Gjoka, është dërguar në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit që përplasi 23-vjeçarin është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar forcave të policisë, të cilat kanë marrë në pyetje dëshmitarët.

Aksidentet rrugore vazhdojnë të jenë të pranishme në vend dhe shkaktohen kryesisht nga mungesa e disiplinës për zbatimin e ligjeve.

Motivet kryesore janë zakonisht parakalimet e gabuara dhe shpejtësia e lartë me të cilën lëvizin drejtues të papërgjegjshëm automjetesh.

Një ditë më parë një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi ndodhi në aksin kombëtar Fushë Krujë-Vorë. 30-vjeçari Eduart Zyba ishte duke ecur pranë rrugës kur u përplas nga një mjet në lëvizje dhe humbi jetën në vend.

Ndërsa pasditen e së enjtes, një betonierë përplasi një këmbësor në një rrugë të Tiranës, duke e lënë të vdekur në vend. Edhe në këtë rast shoferi i betonieres u largua me shpejtësi pa dhënë ndihmën e parë dhe u shpall në kërkim nga policia.

Top Channel