Lezha me impiant riciklimi

20/04/2012 16:00

Bashkia e Lezhës është e vetmja në Shqipëri që ka ndërtuar një sistem të tërë të mbledhjes, diferencimit e më pas përgatitjes për riciklim të mbeturinave.

Impianti që realizon proçesin e fundit është inaguruar në ditën e aksionit Për një Shqiperi të Pastër. Projekti është mbështetur nga Mbretëria e Holandës dhe ka zgjatur për disa vjet.

Në këtë impiant plastika, letrat dhe materialet e tjera të riciklueshme, grumbullohen, presohen e më pas dërgohen pranë fabrikave të riciklimit. Pas ndërtimit bashkia ia ka dhënë këtë impiant për menaxhim shoqatës së ricikluesve.

Kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tushe, thotë se u finalizua një punë e nisur që prej vitit 2008. Në gjithë qytetin e Lezhës janë vendosur kosha mbeturinash të veçantë për çdo material.

“E dinim që ky projekt ishte i vështirë për shkak të mungesës së fondeve financiare. Por ky projekt ka sensibilizuar donatorët, siç është ambasada holandeze, që ka mbështetur në hartimin e planit”, deklaron Tushe.

Bashkia ka bërë një punë të gjatë sensibilizuese për banorët që të ndajnë mbeturinat e tyre para se t’i hedhin. Ndërkohë që bashkia dërgon në impiantin e Bushatit për trajtim të gjitha mbetjet organike.

Top Channel